Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, z. Besart Dreshaj, së bashku me delegacionin shoqërues dhe kordinatorin për kantonin e Gjenevës, z. Xhavit Islami, zhvilluan një takim zyrtar me Kryetarin e Odës Ekonomike të Gjenevës, z. Vincent Subilia, dhe anëtarët e kësaj ode. Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm drejt intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Gjatë diskutimeve, delegacioni i Kosovës prezantoi trendet aktuale të zhvillimit ekonomik në vend dhe avantazhet që Kosova ofron për investitorët e huaj, përfshirë koston konkurruese operative, popullsinë e re dhe dinamike, aftësitë shumëgjuhëshe të fuqisë punëtore – veçanërisht në anglisht dhe gjermanisht – dhe potencialin e konsiderueshëm në sektorët e teknologjisë dhe inovacionit.
Një pikë kyçe e diskutimit ishte edhe roli i diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si një kapital i rëndësishëm financiar dhe menaxherial, duke krijuar mundësi për investime në sektorin prodhues, zgjerimin e eksporteve dhe forcimin e brendit kombëtar të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.
Delegacioni gjithashtu prezantoi mundësitë e lansimit të prodhimeve kosovare në tregun e Gjenevës, duke nxjerrë në pah cilësinë e produkteve vendore dhe potencialin për të rritur praninë e tyre në tregjet ndërkombëtare, si dhe për të krijuar partneritete strategjike me bizneset lokale.
Në përmbyllje të takimit, palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe për të shqyrtuar mundësi konkrete të përfshirjes së bizneseve të Odës Ekonomike të Gjenevës në sektorë kyç të ekonomisë kosovare, duke vendosur bazën për një dialog të qëndrueshëm dhe projekte të përbashkëta.
