Liverpool ka konfirmuar zyrtarisht numrat e fanellave për sezonin 2025/2026, duke zbuluar edhe se cilat numra do të mbajnë shtatë përforcimet e reja të afatit kalimtar të verës.
Florian Wirtz do të mbajë fanellën me numër 7, që u lirua pas largimit të Luis Diaz drejt Bayern Munich.
Milos Kerkez ka zgjedhur numrin 6, ndërsa Jeremie Frimpong do të veshë fanellën me numrin 30, një numër që e ka mbajtur edhe te Bayer Leverkusen.
Hugo Ekitike do të mbajë numrin 22, ndërsa portierët e rinj Giorgi Mamardashvili dhe Freddie Woodman do të kenë respektivisht numrat 25 dhe 28. Armin Pecsi do të mbajë numrin 41.
Ndërkohë, ka nisur të flitet për mundësinë që Alexander Isak t’i bashkohet Liverpoolit. Suedezi aktualisht mban numrin 14 te Newcastle, një numër që e ka mbajtur edhe më parë te Real Sociedad.
Ky numër aktualisht është i zënë te Liverpool nga Federico Chiesa, i cili është përfolur për një largim të mundshëm pas një sezoni zhgënjyes në Ligën Premier.
Nëse Isak përfundon te kampioni aktual dhe kërkon ta mbajë numrin e preferuar 14, atëherë kjo mund të jetë një tjetër shenjë se largimi i Chiesas është i mundshëm.
Ndërkohë, nëse Isak preferon numrin 19, Harvey Elliott mund të detyrohet të dhurojë numrin e tij, teksa edhe ai është lidhur me një largim nga ‘Anfield’ këtë verë.