Llapi dhe Drenica kanë regjistruar fitore të mëdha sot, në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së futbollit.
Llapjanët ia ndalën hovin Prishtinës, e cila vinte nga një seri e jashtëzakonshme pozitive.
Ekipi i Tahir Batatinës fitoi me rezultat 2:1 falë golave të Edon Sadriut në pjesën e parë dhe të Axel Gnapit në atë të dytë.
Nga ana tjetër, goli i Leotrim Kryeziut ishte i pamjaftueshëm për skuadrën e Arsim Thaqit.
Ndërkohë, fitore të madhe dhe me përmbysje regjistroi Drenica, e cila e ndërpreu serinë e saj negative dhe atë pozitive të Dritës.
Kuqezinjtë fituan me rezultat 3:1 ndaj kampiones aktuale të Kosovës.
Ronaldo Chacon ishte hero i ekipit të Bylbyl Sokolit duke shënuar dy herë, ndërsa një gol tjetëe e shtoi Kreshnik Uka.
Nga ana tjetër, goli i Albert Dabiqajt ishte i pamjaftueshëm për gjilanasit.
Vlen të përmendet fakti se krejt golat u shënuan në pjesën e dytë pasi ajo e parë u mbyll pa gola, 0:0.
Ndërkaq, Ferizaj e mposhti me lehtësi Prishtinën e Re me rezultat 3:0 falë golave të Sadriut, Berishës e Selmanit.
E dita e djeshme ishte e mysafirëve pasi Ballkani e mposhti Malishevën me rezultat të thellë, 5:0 në udhëtim, kurse Dukagjini e mundi Gjilanin po ashtu si mysafir, 2:0.
