Shkup, 19 gusht – Ndërtimi i Sallës universale do të jetë në një fazë, prandaj janë siguruar 20 milion euro dhe pritet hapja e saj deri në fund të vitit 2027, deklaroi sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës në lokalitetin Skupi.
“Siç njoftova që në fillim të mandatit tim, diku rreth mesit të korrikut të vitit të kaluar, kur bëra deklaratën e parë lidhur me Sallën universale, thashë se nuk do ta vë nënshkrimin tim derisa situata atje të jetë e qartë. Gjatë kësaj periudhe mora udhëzime nga Qeveria, domethënë kërkuam mendime se si duhet të veprojmë për të pastruar të gjitha pasaktësitë ligjore, dhe besoni që kishte shumë. Mendoj se kjo ka rezultuar në fund me një padi penale ndaj ministres së mëparshme. Tani, të gjitha çështjet janë sqaruar dhe kemi shpallur tenderin dhe këtë herë nuk do të jetë në dy faza, apo tre faza siç ishte më parë. Salla universale do të realizohet në një fazë, ndërsa kjo është çelësi në dorë”, tha Lutkovi.
Ai sqaroi se në projektin e mëparshëm nuk ishin përfshirë as pasojat nga djegia, as nuk u përfshi planimetria e brendshme dhe e kati përdhese.
“Tani ajo që ishte kërkuar edhe nga Qyteti i Shkupit për t’u larguar plotësisht nga ky proces, që e gjithë barra të bie te Ministria e Kulturës dhe Turizmit e kemi realizuar në bashkëpunim me qytetin e Shkupit, Ministrinë e Transportit dhe me Komunën e Qendrës. Të gjitha çështjet janë sqaruar, jemi pajtuar ligjërisht dhe kemi shpallur tenderin shumëvjeçar publik. Kjo do të thotë se financimi do të fillojë diku prej 15 shtatorit, nëse gjithçka shkon siç duhet me furnizimin publik, do të fillojmë ndërtimin dhe do të financohet në 2025, 2026 dhe 2027, duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2027, ndërsa do të mbeten ende disa mjete që duhet të paguhen në vitin 2028. Hapja e Sallës universale pritet të bëhet në fund të vitit 2027, në varësi të dinamikës së punimeve nga ana e ndërtuesve”, theksoi Lutkovi.