Shkup, 11 qershor – Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, informoi se janë përfunduar të gjitha procedurat dhe janë siguruar pothuajse 24 milionë denarë për sanimin e blloqeve 3 dhe 5 si dhe çatinë e Bibliotekës universitare “Shën Klimenti i Ohrit”-Shkup.
Ministri në konferencën e sotme për shtyp në biblotekë theksoi se është përzgjedhur edhe mbikëqyrës për projektin dhe se sanimi po fillon.
“Vitin e kaluar inspektuam gjendjen e bibliotekës dhe ajo që pamë ishte në një gjendje të mjerueshme. Premtuam hapa të mëdhenj për sanim dhe që nga ajo periudhë deri më tani, së bashku me drejtorin, kemi përfunduar të gjitha procedurat. Më në fund, është përfunduar prokurimi publik dhe janë siguruar pothuajse 24 milionë denarë për sanim në fazën e parë, që janë blloqet 3 dhe 5 dhe riparime, konkretisht në çati në mënyrë që të mos ketë rrjedhje në ndërtesë. Pas shumë vitesh, kjo është hera e parë që një sanim i tillë po zhvillohet në këtë ndërtesë dhe shpresoj se në të ardhmen, pas përfundimit të këtij projekti, mendoj se do të jetë diku për rreth gjashtë muaj, deri në fund të këtij viti duhet të përfundojë, do të vazhdojmë me sanimin e pjesëve të tjera dhe fazave të mbetura. Është zgjedhur edhe mbikëqyrja për projektin, të gjitha fazat janë përfunduar dhe po fillojmë me sanimin”, deklaroi Lutkov.
Drektori i biblotekës Jovica Niçevski informoi se kjo është vetëm faza e parë e projektit.
“Me këtë do të përfundonim fazën e parë, pasi përbëhet nga tre faza. E dyta përfshin zëvendësimin e xhamave të tavanit dhe faza e tretë është restaurimi i sipërfaqes së fasadës së blloqeve të mermerit, por kjo do të ishte në përputhje me programin qeveritar”, tha ai.
Lidhur me pjesën e re të bibliotekës që u hap në vitin 2009, Niçevski theksoi se për shumë vite nuk është në funksion për shkak të neglizhencës.
“Pjesa e re që u hap në vitin 2009, për fat të keq, është një pjesë që ka mbetur pa ngrohje dhe ftohje normale dhe sistemi nuk ka qenë në funksion për shumë vite, nuk është servisuar dhe nuk është mirëmbajtur mjaftueshëm. Por ne po bëjmë përpjekje, domethënë jemi në fazën e hapjes së një salle leximi multimediale dhe në një kohë të shkurtër, rreth shtatorit, planifikojmë të hapim atë sallë leximi multimediale dhe një pjesë e asaj ndërtese do të ishte tashmë në përdorim, kumtoi ai.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për shpërndarjen e drejtshkrimit, ai tha se kjo është gjithashtu një nga detyrat e vazhdueshme që po përpiqen ta përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur.
