Kanali amerikan në New York, “Abc7” që publikoi për herë të parë videon e Parashqevi Simakut teksa ajo merrte ndihma, ka publikuar një artikull dedikuar asaj.
“Abc7” shkruan se si ajo video u kthye në një histori ndërkombëtare dhe e lidhi Parashqevi Simakun me Shqipërinë, popullin që atë e donte aq shumë dhe e cilësonte si “Madona e Shqipërisë”.
Falë asaj videoje, artistes shqiptare i ofruan ndihmë nga të gjithë, e më së shumti i qëndroi afër biznesmeni Elton Ilirjani.
Më poshtë ua sjellim artikullin e plotë të “Abc7”:
“Një video me një akt të thjeshtë dashamirësie, është bërë tani një histori e madhe ndërkombëtare.
Më 10 dhjetor, ekipi i 7 On Your Side po ndiqte një bamirësi lokale duke u shpërndarë çanta shpine njerëzve të pastrehë.
Gruaja u gëzua pa masë me frymën e festës së një dhurate kaq të thjeshtë, një çantë shpine me furnizime dhe një shënim të shkruar me dorë për fëmijë me fjalë inkurajuese, nga një grup i quajtur me vend “Vetëm Dashuri e Bekime”.
Ajo që ndodhi më pas po quhet një mrekulli. Ajo grua me të cilën foli Nina tha se ishte këngëtare. Rezulton se ajo është aq e famshme, sa njerëzit në vendin e saj e njohën menjëherë nga segmenti.
Ajo quhet Parashqevi Simaku. Simaku është një këngëtare dhe aktore nga Shqipëria, dhe është një nga thesaret e tyre kombëtare. “Ajo ishte si Madona e Shqipërisë”, tha fansi Bale Erbeli.
Si rezultat, komuniteti shqiptaro-amerikan u bashkua shpejt, duke postuar dhe shpërndarë klipin në të gjithë rrjetet sociale. Madje ka arritur tek një prej influencuesve më të mëdhenj të tyre, Elton Ilirjani.
Elton Ilirjani është model dhe CEO. Me të parë gjendjen e një ikone kombëtare, ai dhe të tjerët e gjetën Simakun në Penn Station brenda dy ditësh.
“Kam pesë vjet që e kërkoja”, tha Ilirjani. “Vrapova drejt saj dhe e përqafova”. Ilirjani i ofroi t’i blinte Simakut një dhomë për të fjetur, gjë që ajo pranoi.
“Ajo bëri një dush të gjatë. Mbretëresha u kthye. Ajo bëri flokët dhe grimin”, tha Ilirjani. “Ajo ishte e bukur. Ne shkuam në një restorant në Hudson Yards, ku ajo këndoi në anglisht dhe frëngjisht”.