Të premten u mbajt në Anning të provincës Yunnan, Takimi i 10-të i Ministrave të Jashtëm të Bashkëpunimit Lancang-Mekong. Takimi u bashkëkryesua nga Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe Ministër i Jashtëm i Kinës, dhe homologu i tij tajlandez Maris Sangiampongsa. Në të morën pjesë zv/Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kamboxhias Prak Sokhonn, Ministri i Jashtëm i Laosit Thongsavanh Phomvihan, Ministri i Jashtëm i Mianmarit U Than Swe dhe zv/Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Vietnamit Bui Thanh Son.
Wang Yi vuri në dukje se gjatë dekadës së fundit, gjashtë vendet kanë zbatuar me zell konsensusin e rëndësishëm të arritur nga udhëheqësit e tyre. Bashkëpunimi Lancang-Mekong ka hyrë në një korsi të shpejtë zhvillimi gjithëpërfshirës, duke u bërë mekanizmi më dinamik dhe premtues i bashkëpunimit në rajon. Duke qenë në një pikënisje të re, të gjitha palët duhet të përpiqen të ndërtojnë një “Bashkëpunim Lancang-Mekong 2.0” të karakterizuar nga uniteti dhe bashkëpunimi, hapja dhe rezultatet e favorshme për të dyja palët, inovacioni i gjelbër, si dhe paqja e qetësia, duke sjellë së bashku një dekadë të re të artë për bashkëpunimin Lancang-Mekong dhe duke përshpejtuar ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për vendet e Lancang-Mekong të orientuara drejt paqes dhe prosperitetit.
foto nga MJK
Wang Yi paraqiti katër sugjerime: forcimin e projektimit të nivelit të lartë dhe mbajtjen e qëndrueshme të “timonit” të zhvillimit të mekanizmit, respektimin e zhvillimit inovativ dhe vendosjen e bashkëpunimit pragmatik në “përshpejtues”, thellimin e bashkëpunimit në zbatimin e ligjit dhe fiksimin e “rripit të sigurisë” të harmonisë dhe stabilitetit, dhe forcimin e shkëmbimeve njerëzore dhe shtimin e një “nxitësi” për fqinjësinë e mirë dhe miqësinë.
Pjesëmarrësit vlerësuan lart arritjet e bashkëpunimit Lancang-Mekong gjatë 10 viteve të fundit dhe rolin e rëndësishëm udhëheqës të Kinës. Ata ranë dakord që, përballë një situate ndërkombëtare komplekse dhe të rëndë, duhet të forcojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, të mbështesin multilateralizmin, të mbrojnë tregtinë e lirë, të luftojnë krimin ndërkufitar, t’u përgjigjen së bashku sfidave dhe të ruajnë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.
foto nga MJK
Takimi publikoi tre dokumente rezultatesh: “Raporti i Progresit 2024 mbi Zbatimin e Planit Pesëvjeçar të Veprimit të Bashkëpunimit Lancang-Mekong (2023-2027)”, “Lista e Projekteve të Mbështetura nga Fondi Special i Bashkëpunimit Lancang-Mekong për vitin 2025” dhe “Progresi, Sfidat dhe Rrugët për Forcimin e Bashkëpunimit Jo-tradicional të Sigurisë në kuadër të Mekanizmit të Bashkëpunimit Lancang-Mekong”.