Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur të enjten rezultatet e një operacioni masiv, duke lidhur një hetim për pastrim parash dhe trafik droge me zbardhjen e vrasjes së 21-vjeçarit Klevis Lleshi, i zhdukur në vitin 2020 dhe gjetur dy vite më vonë.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar sekuestro preventive për një sasi të madhe pasurish me vlerë totale rreth 5 milionë euro.
Bllokohen veturat luksoze dhe bizneset e “Monopol”
Masa e “sekuestros preventive” u vendos mbi pronat e dyshuara si të fituara nga aktiviteti kriminal i personave nën hetim, mes të cilëve dyshohet se është edhe Aurel Hoxha, pronari i njohur i lokalit “Monopol” në Tiranë, i cili vijon të jetë në kërkim.
Pasuritë e bllokuara përfshijnë:
32 autovetura, mes të cilave spikasin dy makina super luksoze: një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan.
7 apartamente dhe 6 njësi tregtare (të gjitha të përqendruara në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë).
3 subjekte tregtare (“Monopol sh.p.k”, “A. K. PF” – “Monopol Bar Lounge 24 ore”, dhe “Elite Event sh.p.k”).
52 llogari bankare në pronësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të të dyshuarve.
Vrasja me pagesë dhe saga e gjakmarrjes
Operacioni i SPAK zbardhi se grupi kriminal ishte i përfshirë në vrasje me pagesë dhe gjakmarrje. Hetimet, të ndihmuara nga përgjimet e komunikimeve të koduara në aplikacionin SkyEcc, zbuluan skemën e ekzekutimit të Klevis Lleshit.
Si ndodhi vrasja?
Porositësi dyshohet se është shtetasi Aurel Hoxha, si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Agim Hoxha, në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2012. Vrasja dyshohet se është kryer kundrejt pagesës prej 50,000 eurosh.
SPAK ka lëshuar katër urdhër-arreste. Tre persona kanë përfunduar në pranga (dy në Shqipëri dhe një në Itali), ndërsa Aurel Hoxha vijon të jetë në kërkim.
Kjo vrasje është pjesë e një zinxhiri të gjatë hakmarrjeje mes dy fiseve, e cila ka shkaktuar disa viktima që nga viti 2012. Klevis Lleshi ishte viktima e radhës, trupi i të cilit u gjet i groposur dy vite pas zhdukjes.
Trafiku i drogës dhe pastrimi i parave
SPAK akuzon këtë grup si një grup të strukturuar kriminal, i cili, përveç vrasjeve, kryente edhe trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.
Të ardhurat e krijuara nga ky aktivitet i paligjshëm dyshohet se janë investuar në Shqipëri pikërisht në aktivitetet tregtare, pasuritë e paluajtshme dhe automjetet luksoze që tashmë janë sekuestruar.
Për ekzekutimin e sekuestros është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara.