Shkup, 22 shtator – Ajri në Trubarevë është i pastër, gjatë ditës priten rezultatet e analizave të tokës të bëra nga Universiteti “Goce Delçev” në Shtip, informoi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Pasi vizitës në shkollën e mesme shtetërore për rehabilitim dhe arsim “Shën Naumi i Ohrit”, i pyetur për gjendjen në Trubarevë pas zjarrit në fabrikën e riciklimit të mbeturinave elektrike dhe elektronike, Mexhiti potencoi se me stabilizimin e situatës së zjarrit, u stabilizua edhe situata e ajrit.
“Ne paraqitëm rezultatet si nga dita ashtu edhe nga nata, kur ato ishin të ngritura. Menjëherë pas stabilizimit të situatës së zjarrit, u stabilizua edhe situata e ajrit. Atje është pastër, nuk ka asnjë problem. Po punojmë për testimin e tokës tani. Gjatë ditës presim testet nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip dhe opinioni do të informohet”, tha Mexhiti.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot kumtoi se në përputhje me matjet indikative të grimcave të ngurta të pezulluara (PM10) në vendin e matjes në Trubarevë, të kryera në periudhën nga 21.09.2025 në orën 08:30 deri më 22.09.2025 në orën 08:30, përqëndrimi mesatar arriti 14.2 µg/m³. Vlera më e lartë e matur ishte 44.1 µg/m³, ndërsa niveli momental ishte 11.9 µg/m³.
Rezultatet, siç u theksua në kumtesë, tregojnë se përqendrimet e PM10 janë brenda kufijve të lejuar dhe nuk e tejkalojnë vlerën 24 orëshe kufitare, të përcaktuar për mbrojtjen e shëndetit të njeriut, në përputhje me Rregulloren për cilësinë e ajrit të ambientit.
Zjarri në fabrikën “”Zero mbeturina” për riciklimin e mbeturinave elektrike dhe elektronike në Trubarevë të Shkupit ndodhi më 13 shtator.