Shkup, 29 tetor – “BDI po shkon rrugës së PPD, kam punuar 7 vjet për t’a reformuar, por nuk patën ‘vesh’ për të dëgjuar.” Kështu ka deklaruar kryetari i komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, Izet Mexhiti, duke paralajmëruar përfundimin e epokës së BDI-së në politikën shqiptare.
Në një intervistë për TV21, Mexhiti theksoi se pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, koalicioni AKI mbetet pa perspektivë dhe humbja e thellë që do pësojë do të shënon edhe fundin e tyre.
“Mendoj që është vonë, mendoj që pas kësaj humbje të thellë, AKI nuk do të ketë jetëgjatësi. Pas 2 nëntorit, ky subjekt do të prishet. Ndërsa BDI po shkon drejt fenomenit të PPD-së në rënie të lirë”, tha Mexhiti.
Mexhiti ka sqaruar se ky qëndrim nuk është reagim emocional, por rezultat i një procesi të gjatë përpjekjesh për reformë të brendshme, të cilat nuk gjetën mirëkuptim brenda BDI-së.
“Unë jam munduar shtatë vite me betejë të brendshme, me luftë parimore dhe me principe. Si ‘Grupi i Zjarrit’ kemi filluar pikërisht sepse nuk është normale që brenda një subjekti të mendojnë të gjithë njësoj, pa debat, pa kriticizëm. Kam provuar gjithçka për të mos pasur ndarje, por kur u shterën të gjitha mundësitë – u largova,” ka theksuar Mexhiti.
