Mexhiti: Do të subvencionojmë 200 automjete elektrike për taksistët

nga Redaksia

Shkup, 6 shtator – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot në një takim pune me Unionin e Shoqatave të taksistëve prezantoi projektin për subvencionimin e 200 automjeteve të para elektrike për taksistët, si pjesë e përpjekjeve të ministrisë për transport urban më të pastër, më të qetë dhe më efikas për qytetarët e Shkupit dhe të gjithë vendit.

Ky projekt, tha Mexhiti, paraqet një hap konkret dhe të rëndësishëm drejt transformimit të transportit urban dhe është pjesë e strategjisë për luftimin e ndotjes së ajrit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës urbane.

“Vetura që u prezantua sot është elektrike, e pajisur me standarde të larta ekologjike – pa emetime ndotëse, pa zhurmë dhe me efikasitet të lartë energjetik”, ka thënë Mexhiti duke shtuar se përmes disa fazave, këto automjete do të zëvendësojnë veturat aktuale që funksionojnë me naftë, benzinë apo gaz natyral, duke sjellë përfitime të mëdha për qytetarët, taksistët dhe mjedisin:

”Çmimi mesatar për një veturë elektrike: 28,000 euro, Kosto totale për 200 vetura është rreth 5.6 milion euro, ndersa subvencionimi nga ministria do të jetë 15 për qind e çminit ose rreth 840,000 euro’.

Mexhiti informoi se sipas ekspertëve ekologjikë, zëvendësimi i këtyre veturave do të sjellë reduktim të mbi 2,700 tonë CO₂ në vit, ndikim i krahasueshëm me mbjelljen e më shumë se 120,000 fidanëve. Po ashtu, tha ai do të ketë ulje të konsiderueshme të zhurmës urbane, sidomos në zonat e banuara.

Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti tha se deri  tani ministria ka iniciuar sistemin Car Sharing me 100 veturat e para elektrike për përdorim publik, trotinete dhe biçikleta elektrike në disa qytete, ndërsa në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, përmes programit “EU for Clean Air”, kanë realizuar dhurimin e 6 autobusëve elektrikë për qytetin e Shkupit, kanë rritur kapacitetet për monitorimin e ndotjes së ajrit si dhe kanë mbjellë dhjetëra mijëra fidanë në mbarë vendin.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More