Kumanovë, 12 tetor – Izet Mexhiti, një nga liderët e VLEN, në tubimin në Kumanovë tha se ne duam ta përqendrojmë fushatën tek zgjedhjet lokale, problemet lokale, sepse qytetarët nuk kanë dy jetë. Ai theksoi se një prej faktorëve të shpërnguljes së shqiptarëve nga Kumanova, Likova dhe zonat e tjera fatkeqësisht është gjendja në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe standardi jetësor.
“Ne kur duam ta përqendrojmë fushatën në zgjedhjet lokale dhe temat lokale, ata prapë na ikin te ‘pllazma keksat’, te ‘shpatat’ e kafshët shtëpiake, sepse atje u ka mbetur mendja. E dini, nëse bëjmë krahasime të mëdha edhe në tema të mëdha, edhe aty mund t’i krahasojmë, sepse kjo Qeveri në 15 muaj ka ndarë një miliard euro, ndërsa duke respektuar Marrëveshjen e Ohrit, 15 komunat tona do të përfitojnë afër 300 milionë euro, apo deri më tani kanë përfituar 80 milionë euro,” tha Mexhiti, duke theksuar se kjo është vendosja e një “Badenteri” në buxhet, që ka munguar në të kaluarën.
Ai shtoi se edhe opozita e tanishme ka ndarë një miliard euro, por ato para kanë shkuar për ta ndryshuar historinë për projektin “Shkupi 2014.”