Mexhiti nga Likova: Shqiptarët kërkojnë zgjidhje reale, jo premtime boshe

nga Xh M

Likovë, 12 tetor – Koalicioni VLEN sonte mbajti tubim në komunën e Likovës, ku para një numri të madh të qytetarëve foli edhe një nga liderët e koalicionit dhe kandidat për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti i cili theksoi se shqiptarët sot janë politikisht më të pjekur dhe kërkojnë rezultate konkrete, jo retorikë.

“Në zgjedhjet parlamentare do të flasim për çështje shtetërore, ndërsa tani në zgjedhjet lokale fokusi ynë janë problemet lokale dhe përmirësimi real i jetës së qytetarëve. Ata që kanë ikur nuk kthehen më as për pushime, sepse mungojnë kushtet elementare. Ne nuk duam t’i gënjejmë njerëzit që pas zgjedhjeve të mbeten pa ujë të pijshëm, pa
kanalizim ose të përballen me rreziqe si miniera në Llojan”, tha Mexhiti.

Ai shtoi se VLEN vjen me program të qartë, ndryshe nga vitet e kaluara ku janë shpërdoruar 1 miliardë euro për përmendore dhe projekte të korruptuara.

“Edhe pse tani jemi në koalicion me Mickoskin, në dallim nga ata që ishin me Gruevskin, ne e respektojmë Marrëveshjen e Ohrit dhe 1 miliardë eurot i investojmë për forcimin e komunave dhe shtetit. E vendosëm Badinterin në buxhet, morëm 30% dhe e lexuam qartë porosinë e qytetarëve për ndryshim. Qytetari duhet ta shohë dallimin mes nesh dhe tyre dhe vota të jetë investim për dinjitet dhe zhvillim”, deklaroi ai.

Mexhiti nënvizoi se qëllimi është që në zgjedhjet e ardhshme të mos flitet më për kushte elementare, por për zhvillim dhe rikthim të qytetarëve.

“Duam t’i mbajmë njerëzit në vendin tonë dhe ata që janë në kurbet të kthehen me qejf për pushime, jo nga halli”, shtoi ai duke thumbuar kështu koalicionin AKI të cilët nuk bëjnë më fushatë me thirrje folklorike.

“AKI nuk thërret më nëpër tubime ‘UÇK’, sepse UÇK e vërtetë është në zemrën e Likovës, tek Nexhmedin Sadiku, Lirim Jashari e Ismet Jashari. Këtu është fryma e shqiptarisë, jo vetëm me fjalë, por me punë dhe zgjidhje të problemeve që kanë mbetur për dekada, si deponia në Nikushtak, kanali në Hasanbeg dhe Haraçinë”, përfundoi kështu Mexhiti.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More