Mickoski: Ekonomia jonë në tremujorin e dytë shënoi rritje reale prej 3.4 për qind dhe është ndër pesë vendet në Evropë

nga Redaksia

Shkup, 7 shtator – Ekonomia jonë në tremujorin e dytë shënoi rritje reale prej 3,4 për qind dhe është ndër pesë vendet në Evropë sa i përket rritjes së BPV-së, masat dhe puna e Qeverisë po japin rezultate, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.

“E para është fakti se në tremujorin e dytë ekonomia jonë shënoi rritje reale prej 3,4 për qind dhe për tremujorin e dytë jemi ndër pesë vendet në Evropë sa i përket shkallës më të madhe të rritjes së Bruto prodhimit vendor. Nëse në tremujorin e parë ishim në vendin e katërt, tani e ndajmë vendin e tretë me Kroacinë. Para nesh janë Irlanda dhe Qipro me 3,6 për qind”, tha Mickoski në hapjen e një pjese të autostradës Kërçovë – Ohër.

Kryeministri theksoi se masat dhe puna e Qeverisë po japin rezultate të cilat, siç theksoi ai, “në periudhën e kaluar kanë gjeneruar 10 mijë vende të reja pune”.

“Masat e Qeverisë dhe puna aktive që bëjmë periudhën e kaluar kanë gjeneruar 10 mijë vende të reja pune, domethënë, nëse krahasojmë numrin e të punësuarve në tremujorin e dytë të vitit 2024 prej pak më shumë se 691 mijë me numrin e të punësuarve në tremujorin e dytë të vitit 2025, diçka më shumë se 701 mijë, kjo do të thotë se për një vit kemi krijuar 10 mijë vende të reja pune. E kemi ulur diçka më shumë se 7 mijë numrin e të papunëve, kur të krahasohen këto dy tremujorë. Ndoshta këto shifra janë vetëm shifra në letër, por janë pjesë e jetës reale, janë familje, janë njerëz, janë të vërteta. Kjo Qeveri si qëllim ka ta bëjë jetën e qytetarëve tanë më të mirë dhe më të suksesshme”, tha ai.

Parametri i tretë, siç thekson Mickoski, është fakti se në shtatë muajt e kaluar të këtij viti, nga janari deri në korrik, eksporti u rritë më shpejt se sa importi. Ai thekson se ky është një shembull i rrallë.

“Nëse shikojmë 15 vjet prapa në ekonominë e vendit, kur në një periudhë kaq të gjatë, kemi një orientim më të madh të vendit drejt eksportit se sa drejt importit. Që do të thotë se deficiti tregtar është duke u zvogëluar. Që nënkupton më shumë valutë e huaj, më shumë para mbeten në kompanitë e vendit dhe në duart e qytetarëve të Maqedonisë, që është edhe qëllimi edhe detyra jonë si qeveri”, ka thënë ai.

Mickoski theksoi se edhe në fushatën zgjedhore vitin e kaluar premtuan punë të përkushtuar dhe të ndershme, jo mrekulli dhe gjëra të pamundura.

“E di që rezultatet e menjëhershme janë të pamundura. E kemi thënë edhe në fushatë. Ne nuk jemi mrekullibërës. Mrekullitë janë të pamundura. Por premtuam punë shumë të përkushtuar dhe të ndershme dhe kjo është ajo që kemi bërë gjatë 15 muajve të fundit – punë shumë të përkushtuar dhe të ndershme. Ju jap fjalën time se kështu do të vazhdojmë – të luftojmë çdo ditë për çdo projekt të vetëm, për çdo investim të ri, për çdo fat njerëzor për t’i ndihmuar ata dhe për ta bërë jetën e tyre më dinjitoze. Ky është vizioni jonë – Maqedonia e veprave, jo e arsyetimeve. Kjo është dëshmi se mund ta lëmë pas periudhën e stagnimit dhe t’i hapim rrugën zhvillimit. Do të vazhdojmë kështu – të ndërtojmë, të përfundojmë punët e filluara dhe të fillojmë perspektiva të reja për çdo rajon dhe çdo qytetar”, theksoi kryeministri Mickoski.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More