Tiranë, 20 nëntor – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot nga Tirana përcolli mesazhe të forta politike dhe identitare gjatë inaugurimit të zyrës së re të shoqatës “VMRO-DPMNE Shqipëri”, ku morën pjesë një numër i maqedonasve që jetojnë në Shqipëri.
Me këtë rast, Mickoski theksoi rëndësinë që ka organizimi i komunitetit maqedonas në Shqipëri, duke e cilësuar hapjen e zyrës së re si hap të madh për forcimin e lidhjeve, kulturës dhe identitetit të tyre.
“Theksova mundësinë që maqedonasit në Shqipëri të kenë klubin e tyre, të kenë hapësirë për bashkim, për të punuar lirshëm në ruajtjen e kulturës, identitetit, gjuhës dhe traditës së tyre,” u shpreh Mickoski.
Kryeministri e krahasoi situatën e maqedonasve në Shqipëri me atë të komunitetit maqedonas në Pirin (Bullgari), të cilëve – siç tha ai, u mohohet e drejta për të regjistruar shoqata kulturore apo për të deklaruar lirshëm identitetin e tyre kombëtar.
“Në shekullin XXI, maqedonasit në Pirin nuk mund të regjistrojnë një organizatë joqeveritare dhe nuk mund të flasin lirshëm për identitetin e tyre maqedonas. Ndërsa këtu në Shqipëri, ekziston hapësira, mundësia dhe vullneti për të ruajtur kulturën dhe traditën,” deklaroi ai.
Mickoski dërgoi edhe një mesazh për diasporën maqedonase në mbarë botën.
“Ne jemi punëtorë, të durueshëm dhe të mençur. Ju siguroj se, qoftë tani, qoftë në periudhën që vjen, do të arrijmë qëllimin tonë. Shteti maqedonas do të jetë shtyllë e të gjithë maqedonasve kudo që janë – atdheu i tyre, që i pret me duar të hapura për të qenë së bashku me maqedonasit në Maqedoni”.
