Mucunski në Forumin e tretë për diplomaci kulturore në Shkup: Historia na mëson se kultura mund të jetë edhe fushëbetejë dhe terren për dialog

nga D. V.

Shkup, 20 maj – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në Forumin e tretë për diplomaci kulturore i cili mbahet sot në Shkup, gjatë fjalimit të tij, theksoi se diplomacia kulturore nuk është vetëm një mjet për afirmimin e trashëgimisë kulturore kombëtare, por edhe mjet i fuqishëm për ndërtimin e urave të kuptimit dhe miqësisë, veçanërisht në kohë sfidash globale.

Forumi i organizuar nga Qendra ndërkombëtare “Aleanca e civilizimeve” dhe Instituti për diplomaci kulturore nga Gjermania, siç njoftojnë nga MPJTJ, bashkon ekspertët nga fusha e diplomacisë kulturore, zhvillimit të qëndrueshëm dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit global dhe afirmimin e kulturës si një element kyç në ndërtimin e urave mes popujve.

“Historia na mëson se kultura mund të jetë edhe një fushëbetejë dhe terren për dialog – përgjegjësia jonë e përbashkët është ta zgjedhim opsionin e dytë. Për këtë arsye, sot gjithnjë e më shpesh nuk flasim për përplasje të civilizimeve, por për sfida brenda shoqërive tona – në mënyrën se si e kuptojmë dhe e pranojmë ndryshimin. Në këtë kohë kur disa e shohin kulturën si mjet për qëllime gjeopolitike, ne e afirmojmë atë si një hapësirë për bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë. Ideja evropiane, pjesë e së cilës jemi, është pikërisht kjo – një e ardhme e përbashkët e ndërtuar mbi ndryshimin kulturor, hapësinorë dhe soilidaritet”, theksoi Mucunski.

Në fjalimin e tij ish presidenti i vendit Gjorge Ivanov theksoi se forumi i tretë për diplomaci kulturore po mbahet në një kohë kur bota po përballet me luftëra, kur bota po copëtohet me linja të reja ndarjesh, kur fëmijët po vdesin nën rrënojat e “objektivave strategjike”, kur klima dhe ndërgjegjja janë po aq të kërcënuara.

“Forumin po e mbajmë në një kohë kur përballemi çdo ditë me kriza të sigurisë, mjedisit, shëndetësisë, padrejtësisë sociale dhe dilemave morale. Prandaj, jemi të detyruar të hapim jo vetëm mendjen, por edhe ndërgjegjen. Sot, nuk duhet vetëm si politikanë, diplomatë, shkencëtarë apo artistë – por si njerëz që besojnë se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi dinjitetin njerëzot”, theksoi ai në fjalimin e tij në forum.

Në kuadër të forumit, siç njoftojnë nga MPJTJ, Mucunski realizoi edhe takim me ish presidentin Gjorge Ivanov ku u nënshkrua Memorandumi i bashkëpunimit mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Qendrës ndërkombëtare “Aleanca e civilizimit” e përfaqësuar nga Ivanovi.

Në ceremoninë e hapjes së forumit, përveç Mucunskit dhe Ivanovit, morën pjesë edhe ish presidenti i Republikës Çeke, Vacllav Klaus, ish presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, ish ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Erki Tuomioja dhe ish ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Miro Kovaç.

Qëllimi i memorandumit është përmirësimi dhe pasurimi i bashkëpunimit në fushën e diplomacisë publike, zhvillimi i diplomacisë kulturore dhe afirmimi i kulturës dhe identiteti maqedonas jashtë si dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More