Dibër, 24 shtator – Me shfaqjen “Vjedhja e diamantit” në regji të Qazmedin Nuredinit ndërkaq në interpretim të anëtarëve të dramës shqipe pranë Qendrës për kulturë “Trajko Prokopiev” nga Kumanova, mbrëmë në Qendrën e kulturës në Dibër filloi edicioni i 24-t i festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoni”.
Publiku, i cili e mbushi sallën e koncerteve, aktorët i shpërbleu me duartrokitje të bujshme.
Para shfaqjes foli drejtori i Festivalit, Ylber Nuredini, i cili, siç tha me zgjedhjen e shfaqjeve, është i bindur se edhe ky edicion do ta konfirmojë suksesin e vet.
“Falënderim i madh për të gjithë të cilët na besuan dhe kontribuuan në prëgatitjen, organizimin dhe mbajtjen e festivalit. Falënderim i veçantë për Ministrinë e Kulturës, Komunën e Dibrës, Qendrën për kulturë dhe donatorë të tjerë me mbështetjen e të cilëve mbijeton festivali. Festivali u bë tradicional, publiku dibran i cili din ta vlerësojë më të mirën, pret të përmbushet kërkesa shumëvjepare që i njejti të institucionalizohet. Dibra e meriton këtë”, tha Nuredini.
Publikun dhe të gjithë dibranët i përshëndeti dhe e hapi festivalin zëvendëskryeministri Arben Fetahu, i cili dëshiroi çaste të këdnshme edhe në ditët e ardhshme teatrore.
Në këtë manifestim, i cili rregullisht mbahet në Dibër, ndërkaq përfundon më 30 shtator, para publikut do të prezantohen shtëpi teatri nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Tirana, Presheva dhe Prishtina.
Sonte do të jepet shfaqja “E vërteta” në regji të Besfort Idrizit në interpretim të Teatrit shqiptar për fëmijë dhe të rinj nga Shkupi.
Në mbrëmjen e fundit, para publikut dibran do të interpretojë Teatri kombëtar i Kosovës – Prishtina me “ART” në regji të bashkim Ramadanit. Menjëherë më pas është paraparë edhe koncerti “Valse dhe polka nga Shtrausi” – Kuarteti i kryesuar nga Plamenka Trajkovska, pas çka do të ndahen çmime për shfaqjen më të mirë, regjinë, aktorin dhe aktoren më të mirë.
Mbajtja e festivalit është mbështetur nga Ministria e Kulturës, e cila këtë vit ndau 1,5 milion denarë, që është dyfish më shumë se vitin e kalaur, Komuna e Dibrës me 350 mijë, si dhe kompani dibrane.