Shkup, 10 shtator – Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi tre institucionet më të mëdha private shëndetësore në vend – “Remedika”, “Açibadem Sistina” dhe “Zhan Mitrev” me qëllim nënshkrimin e një Memorandumi të përbashkët për bashkëpunim.
Ky memorandum vendos një kornizë bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve private shëndetësore, që do të mundësojë angazhimin e kuadrit shëndetësor – specialistë nga sektori privat – në institucionet publike shëndetësore, në raste të rritjes së nevojave, mungesës së stafit apo kërkesave të tjera prioritare shëndetësore.

“Funksionimi sipas ligjit i të gjitha institucioneve shëndetësore, si publike ashtu edhe private, është imperativi ynë më i lartë. Qëllimi është që potenciali i plotë i sistemit shëndetësor të vihet në dispozicion të pacientëve dhe vendosjes së burimeve të nevojshme në interes të qytetarëve,” theksoi ministri Aliu.
Memorandumi parasheh që Ministria të identifikojë në mënyrë të vazhdueshme institucionet publike që kanë nevojë për staf shtesë, të sigurojë mbështetje administrative dhe ligjore, si dhe të koordinojë bashkëpunimin. Nga ana tjetër, institucionet private shëndetësore obligohen të ofrojnë kuadër shëndetësor të kualifikuar i cili do të angazhohet nën kushte të përcaktuara qartë dhe në përputhje me standardet etike dhe profesionale.

Me këtë hap, Ministria e Shëndetësisë, siç thuhet avancon partneritetin me të gjitha kapacitetet shëndetësore në vend, me qëllimin përfundimtar – përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në shërbimet shëndetësore për pacientët.