Shkup, 2 prill – Kryeministri Hristijan Mickoski dhe lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, do të realizojnë nesër në ora 14:00 një takim kokë më kokë në ambientet e Qeverisë. Takimi, i cili vjen pas paralajmërimeve dhe nismave të dy liderëve, pritet të fokusohet në pesë çështje kyçe: arsimin, shëndetësinë, gjyqësorin, mbrojtjen e ambientit dhe partizimin e institucioneve.
Sipas Filipçes, tragjedia e fundit në Koçanë ka vënë në pah dobësitë sistematike, duke shtuar se është momenti i fundit që aktorët politikë të bashkëpunojnë për të mirën e vendit. Nga ana tjetër, Mickoski theksoi se është i gatshëm për diskutime, por paralajmëroi se temat serioze nuk duhet të shndërrohen në spektakël publik.
Megjithatë, mbetet e paqartë pse takimi mes dy liderëve do të zhvillohet në këtë format dhe pse janë përjashtuar nga diskutimet liderët e partive të tjera parlamentare, sidomos ata të partive politike shqiptare. Kujtojmë se më herët, Filipçe kishte propozuar një takim më të gjerë liderësh, por Mickoski nuk iu përgjigj kësaj ftese.
Takimi i nesërm pritet të ngjallë reagime në skenën politike, veçanërisht mes partive shqiptare, të cilat mund ta shohin këtë lëvizje si një margjinalizim të tyre nga debatet kyçe për të ardhmen e vendit. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë reagim zyrtar nga faktorët politikë të përjashtuar nga ky dialog.