Po flas për atë komunikim që ka një vështrim, një prani, një interes të sinqertë, pak të qeshura dhe shumë lidhje emocionale.
Shumë çifte vijnë në zyrën e terapistit duke thënë: “Nuk flasim më.” Dhe kur pyes se kur kanë folur për herë të fundit, përgjigjja është shpesh: “Dje. Për vendin ku do të shkojë fëmija në çerdhe.” Aty nis edhe ngatërresa. Sepse komunikimi në çift nuk është thjesht mjet për menaxhimin e krizave apo koordinimin e projektit të përbashkët të quajtur familje. Është një mënyrë për të qëndruar njerëzorë ndaj njëri-tjetrit.
Kur zëri yt bëhet njoftim, jo ndjesi
Nëse çdo herë që i flisni partnerit është për të kërkuar diçka, për të ankuar apo për të sqaruar një problem, atëherë zëri juaj kthehet në një sinjal – jo një prani. Dhe sinjalet kanë një veçori: njeriu mësohet t’i injorojë. Komunikimi i mirë nuk është për të “pasur të drejtë”, por për të krijuar lidhje. Në vend të “Do më dëgjosh një herë?” mund të pyesni “Si je vërtet sot?”
Fitore në debat, humbje në lidhje
Kur debatet kthehen në gara për të fituar, atëherë marrëdhënia humbet. Komunikimi nuk është një fushatë elektorale. Kur një partner “fiton”, lidhja humbet. Pyetja e duhur nuk është “Si ta provoj që kam të drejtë?”, por “Si ta kuptoj më mirë atë që po ndjen partneri im?”
Të kuptuarit nuk do të thotë të pajtohesh gjithmonë. Ndonjëherë është më me vlerë të thuash “Të dëgjoj” sesa “Jam dakord”.
Hiqni dorë nga ekrani, jo nga njëri-tjetri
Çiftet shpesh e humbin afërsinë jo nga mungesa e dashurisë, por nga prania e vazhdueshme e shpërqendrimeve. Të shkoni në një takim bashkë dhe të qëndroni me sytë në telefon nuk është kohë cilësore. Krijoni 15 minuta në ditë ku nuk ka ekrane dhe nuk flitet për detyra. Flisni si njerëz. Pa axhendë. Pa domosdoshmëri për zgjidhje. Thjesht për të qenë pranë.
Çelësat e komunikimit që lidh, jo vetëm që funksionon:
Flisni për gjërat e thjeshta, jo vetëm për ato “të rëndësishme”.
Dëgjoni me prani, jo me përgjigje të gatshme.
Përdorni humor dhe butësi.
Pyetni, mos supozoni.
Flisni për sjelljen, jo për karakterin.
Kujtoni pse jeni bashkë.
Merrni pjesën tuaj të përgjegjësisë për cilësinë e marrëdhënies.
Komunikimi në çift është si të ujitësh një bimë. Nuk pritet të veprosh vetëm kur ka rënë gjethet. Ka nevojë për pak kujdes çdo ditë. Me dashuri. Me butësi. Dhe me vendosmëri për të mos humbur kontaktin me njeriun që keni përballë.
Nuk jemi robotë. Jemi njerëz që duam të na duan. Dhe mbi të gjitha, duam të ndiejmë që dikush na sheh dhe na ndjen.
Dhe tani, fikeni telefonin. Shikojeni në sy dhe thuajini thjesht: “Më pëlqen që jemi bashkë.” Pa asnjë arsye. Thjesht kështu.