Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha se data 21 dhjetori është data më e përshtatshme për t’u mbajtur zgjedhjet parlamentare meqenëse sipas tij Kosova ka humbur mjaftueshëm kohë, raporton Ekonomia Online.
Ai e quajti përbuzje “dëshirën” që zgjedhjet të mbahen me 28 dhjetor.
“Duke qenë se i është humbur shumë kohë Kosovës dhe ka akumulime të temave buxhetore me respekt të qytetarëve të vendit me kohën e humbur kemi propozua që 21 dhjetor të jetë dita e zgjedhjeve parlamentare dhe në këtë mënyrë do ta fitojmë të paktën 1 javë vazhdimeve buxhetore që duhet të ndodhin”, tha Haradinaj.
Ai propozimin e VV-së për 28 dhjetor tha është arrogancë politike
“Është një arrogancë nga politika, përbuzje deri në ofendim me u shpallë zgjedhjet me 28 dhjetor, periudhën e pushimeve dimërore e me vazhdu me numërimi e rezultate edhe në Natën e Vitit të Ri. Data 21 dhjetor është më e duhura. Por cilado qoftë data ne jemi të gatshëm dhe shkojmë të vetëm në zgjedhje”, deklaroi ai.
I pyetur rreth deklarimit të Kurtit se si AAK rrezikojnë që të mos e kalojnë as pragun, Haradinaj tha se ”Ai po na mbanë dertin si vëlla e falënderoj shumë”.
