Ministria e Jashtme e Estonisë njoftoi se një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet sot me kërkesë të saj, pas hyrjes së tre avionëve rusë në hapësirën e saj ajrore.
”Tre avionë luftarakë rusë ‘MiG-31’ hynë në hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan atje për afërsisht 12 minuta”, njoftuan Estonia dhe NATO të premten.
Italia, e cila ka një mision policimi ajror në Baltik brenda NATO-s, Suedia dhe Finlanda ngritën avionë për mbrojtje.
“Më 22 shtator (…), Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një mbledhje emergjente në përgjigje të shkeljes flagrante të hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia të premten e kaluar”, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme estoneze.
Kjo është hera e parë në anëtarësimin 34-vjeçar të Estonisë në OKB që ky vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, dhe një mbështetës i fortë i Ukrainës, ka kërkuar zyrtarisht një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit.
Sipas Ministrit të Jashtëm estonez Margus Tsahkna, kjo shkelje “është pjesë e një modeli më të gjerë sjelljeje nga Rusia, që synon të testojë vendosmërinë e Evropës dhe NATO-s”.