Në vazhdën e operacionit paraprak, sot më 24.09.2025, shtatë persona janë arrestuar në një aksion të gjerë policor të koduar me emrin “Qielli i Thyer”, i zhvilluar në rajonet e Prishtinës dhe Pejës.Në komunikatën e përbashkët, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se operacioni është kryer në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka përfshirë 25 lokacione të ndryshme.“Si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.” – thuhet në komunikatë.
Sipas hetimeve, të dyshuarit kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.
Gjatë bastisjeve, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash materiale, përfshirë: 638 gramë substancë narkotike të dyshuar si kokainë, një peshore për matjen e narkotikëve, 11,065 euro para të gatshme, 34 automjete, 7 armë zjarri dhe dokumente personale me identitet të rremë, pajisje elektronike, si dhe dokumentacion pronësor e financiar.
Videon e aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës mund ta shihni këtu.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar
“Aksioni është mbështetur përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë europiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar,” – theksohet në njoftim.
Aksioni i gjerë paraprak në kuadër të operacionit “Qielli i Thyer” ishte zhvilluar më 03.06.2025, teksa ishin arrestuar 22 persona.
Dosja e 22 personave të arrestuar në aksionin paraprak të koduar “Qielli i Thyer” tregonte se si përmes rrugëve detare ishte bartur droga e cila porositej në Iran, Turqi e Ekuador, nga grupi i dyshuar i cili u arrestua në një aksion të gjerë policor e që u udhëhoq nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Dosja përshkruan se droga fillimisht u porosit në shtete të Amerikës së Jugut, Iranit e Turqisë, e më pas u soll në Kosovë – për t’u transportuar sërish në vende të Bashkimit Europian
Rexhep Nikçi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdiku, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy, Ylli Musliu dhe Safet Ljajiç, ishin të arrestuarit e dyshuar në aksionin policor të emëruar “Qielli i Thyer” në 45 lokacione të ndryshme në Prishtinë, Viti, Suharekë e Pejë.
Gjykata kishte caktuar 30 ditë paraburgim ndaj tyre pasi që të njëjtit dyshohen se janë përfshirë në trafik ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës.
Dosja hetimore tregonte se grupi dyshohet se në një periudhë kohore nga fillimi i vitit 2019 e deri më 03.06.2025 në Kosovë dhe shtete të tjera me dashje dhe dijeni kanë kryer veprimtari të përgjithshme në mënyrë të organizuar për të kryer vepër penale të trafikimit të lëndëve narkotike. E nga kjo veprimtari grupi dyshohet se pati fitim milionësh.
Bartja e narkotikëve në bazë të dosjes thuhet se është bërë përmes kontejnerëve të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme, përmes anijeve transportuese, përmes kamionëve për transport mallrash, përmes veturave të pajisura me bunkerë në formë të kamufluar nëpër vende të posaçme të rregulluar ekstra për fshehjen e narkotikëve.
Rruga e cila është përshkruar është përmes rrugëve tokësore, porteve detare në Shqipëri, Maqedonisë së Veriut për në Kosovë.
Gjithashtu në dosje përshkruhet edhe se pjesëtarët e grupit kishin bërë përzierjen e narkotikëve me sodë bikarboni dhe përbërës të tjerë me qëllim të shtimit të peshës e më pas ishte paketuar me anë të një makine me presion dhe përsëri narkotikun e vendosnin duke e kamufluar në mjetet e transportit.
Pas pranimit të drogës në Kosovë, grupi dyshohet se më pas përmes mjeteve të transportit shisnin në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete tjera të BE-së.
Aktivitetin të dyshuarit sipas Policisë dhe Prokurorisë e bënin edhe në bashkëpunim me persona të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës
Grupi dyshohet se përmes këtij aktiviteti të trafikimit të drogës ka fituar miliona euro në mënyrë të kundërligjshme.
Gjithashtu dosja përshkruan edhe se nga viti 2019 deri më 03.06.2025 në Kosovë dhe shtete të tjera përmes aktivitetit kriminal të dyshuarit një pjesë të pasurisë së fituar e kishin transferuar nëpër biznese të ndryshme, biznese këto të themeluara nga vetë të dyshuarit dhe persona të tjerë.
Po ashtu një pjesë tjetër e fitimit të kundërligjshëm sipas Prokurorisë është konvertuar në prona të luajtshme e të paluajtshme, tokë, shtëpi, vetura, banesa e të tjera.
I gjithë aksioni i cili u zhvillua më 03.06.2025, rezultoi me 22 të arrestuar, me 29 vetura të sekuestruara, 800 mijë euro të ngrira nga banka, mbi 130 mijë euro ‘cash”, e sekuestrim të dhjetëra dokumenteve erdhi pas një hetimi disamujor të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale
Gjatë vitit 2024-2025, Prokuroria Speciale kishte pranuar disa transkripta të përgjimeve të ‘SkyECC’ nga Franca, EUROPOL dhe po ashtu edhe nga Belgjika përmes bashkëpunimit të Kosovës me Agjencinë e Bashkimit Europian për Zbatimin e Ligjit- EUROPOL.
Në bazë të raporteve në vitin 2021 pas një hetimi të një rasti nga Belgjika dhe Franca në një operacion policor përveç drogave dhe dëshmive të tjera ishte arritur edhe gjurmohet një server i ‘SkyECC’.
Gjatë dekriptimit të të dhënave në këtë aplikacion është kërkuar edhe që në hetim të jetë edhe Kosova.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 16.08.2024 pas sigurimit të informacione nga raportet analitike kishte nisur një hetim ndaj Kujtim Nezirajt, Ardian Mazrekajt dhe Edin Berishës për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim me drogë
E pas nisjes së hetimit është arritur edhe identifikimi i personave të tjerë, të arrestuar më 03.06.2025, të cilët të gjithë dyshohen për pjesëmarrje në grup kriminal dhe trafikim me drogë, kryesisht kokainë, heroinë e marihuanë.
Aksioni i parë në kuadër të operacionit “Qielli i Thyer” ishte zhvilluar gjatë orëve të mëngjesit të datës 03.06.2025, si rezultat i një hetimi disamujor dhe është realizuar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas komunikatës zyrtare, aksioni ishte zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, ndërsa ishin bastisur 47 lokacione të ndryshme, ku morën pjesë rreth 600 policë.
Operacioni i para disa muajve u zhvillua me mbështetje nga autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe Europol-it, ndërsa prokurori i PSRK-së ka qenë i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrave për kontroll
Përveç të arrestuarve, Policia gjatë operacionit të datës 03.06.2025, kishte sekuestruar: 29 vetura; 134,900 euro para të gatshme; 20,040 franga zvicerane; 490 dollarë; 13,000 euro para të falsifikuara; 9 orë dore luksoze; 36 armë të llojeve të ndryshme; 1,569 fishekë dhe 1,292 copë municion; një prese për paketim heroine dhe kokaine; laptopë, telefona, USB dhe dokumente.
