Shkup, 28 tetor – Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit sot pasdite u realizua fluturimi i parë direkt për në Madrid. Kompania ajrore “Viz Er” me subvencione nga Qeveria do të fluturojë në këtë linjë tre herë në javë, çdo të martë, të premte dhe të shtunë.
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski njoftoi se pas vendosjes së linjës direkte ajrore nga Shkupi për në Madrid dhe më parë për në Barcelonë, do të ketë më shumë destinacione nga Spanja.
Që nga zgjedhja e Qeverisë së re vitin e kaluar, tha ai, janë hapur 21 linja të reja direkte ajrore, dhe si rezultat i ndryshimit në politikën e subvencioneve, është rritur numri i pasagjerëve në aeroportin e Shkupit dhe Ohrit.
“Fluturimi direkt midis Madridit dhe Shkupit lidh dy kryeqytetet e Maqedonisë dhe Mbretërisë së Spanjës, gjë që është shumë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit, biznesit, shkëmbimit kulturor, diçka që me të vërtetë do të thotë shumë. Vitin e kaluar, së bashku me TAV, krijuam një strategji të re në metodën e subvencionimit, një politikë inovative në subvencionim, e cila dyfishoi subvencionet nga më parë. Për Shkupin, subvencioni është 9 euro, ndërsa në linjën e Ohrit 12 për pasagjerët që mbërrijnë, që do të thotë se stimulojmë sa më shumë pasagjerë të vijnë në Maqedoni. Si rezultat, sot mund të ndaj me krenari se në periudhën janar – tetor të këtij viti pati një rritje prej shtatë përqind të numrit të pasagjerëve, në linjën e Shkupit gjashtë dhe në linjën e Ohrit për 17 përqind të numrit të pasagjerëve, pra gjithsej 2.862.677, që tejkalon shumë numrin e banorëve në Maqedoni”, tha Nikolloski.
Ai renditi linjat ajrore të reja që po prezantohen, duke theksuar se do të ketë më shumë destinacione për në Spanjë dhe se Barcelona dhe Madridi nuk do të jenë të fundit.
“Nga Parisi, Orli, ka fluturime për në Shkup, nga Stambolli ka fluturime për në Ohër, nga Dubai do të ketë fluturime për në Shkup këtë dimër. Nga Barcelona, nga Lioni, nga Amsterdami dhe nga Lubjana ka edhe fluturime për në Shkup, ka fluturime çarter të Fribird Erlajns që zbarkojnë në aeroportin e Shkupit çdo ditë, së shpejti do të ketë dy në ditë. Fluturimet për në Ohër kanë filluar nga Bazeli, Larnaka, Madridi, Shtutgarti, Parisi, Stokholmi në aeroportin kryesor po fillojnë këto ditë. Po hapim Gjenevën, si dhe Këlnin, Pragën, dhe nga pranvera Napolin, Budapestin, Katovicën dhe Vroklavin për në Ohër dhe Milanon gjithashtu për në Ohër. Gjithsej 21 destinacione të reja, 21 linja të reja për të rritur numrin e turistëve dhe më shumë biznes në Maqedoni”, tha Nikolloski.
Për Ambasadorin e Spanjës, Rafael Soriano Ortiz, kjo është një ditë historike sepse, theksoi ai, kjo është hera e parë që dy kryeqytetet lidhen me një fluturim direkt.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e linjës ajrore të krijuar së fundmi me Barcelonën dhe tha se lidhja është një parakusht për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.
Nexhat Kurt, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni, theksoi se me këtë linjë ajrore, Shkupi dhe Madridi po bëhen më të afërt se kurrë, ndërsa Maqedonia dhe Spanja po forcojnë lidhjet diplomatike dhe ekonomike, gjë që paraqet një mundësi të madhe për të gjithë.
