Plani operativ i Policisë për zgjedhjet lokale, do të zhvillohet në katër faza

nga L. M

Policia e Kosovës ka përgatitur të gjitha planifikimet policore lidhur me zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor (nesër), duke hartuar urdhrin operativ “Zgjedhjet lokale 2025”.

Sipas Policisë, për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, do të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, të përfshirë në njësite të ndryshme të PK-së.

Operacioni policor parashikohet të zhvillohet në katër faza: periudha parazgjedhore, ofrimi i sigurisë gjatë fushatës, sigurimi i ditës së zgjedhjeve (dita “Z”) dhe periudha pas zgjedhjeve, që përfshin transportin e materialit sensitiv deri në përfundim të procesit.

Policia ka marrë masa shtesë duke caktuar koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet e tjera të angazhuara, si dhe duke hartuar udhëzues për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë ligjore gjatë procesit zgjedhor.

“Qëllimi kryesor i këtij urdhri operativ është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sigurimi i Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale, depove zgjedhore dhe materialit sensitiv”, thuhet në njoftim.

Policia gjithashtu apelon te drejtuesit e subjekteve zgjedhore dhe qytetarët që për çdo informacion të dyshuar lidhur me sigurinë e procesit të njoftojnë institucionet kompetente përmes linjës 192, emailit info@kosovopolice.com ose në stacionet më të afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat ligjore menjëherë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More