Po shqyrtohet financimi i Qendrës së re Klinike, nga e hëna fillon hartimi për institucionet e reja shëndetësore

nga Redaksia

Shkup, 15 qershor – Ideja për ndërtimin e një Qendre të re Klinike është rikthyer sërish. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, pret që projekti të financohet me fondet për financim të projekteve që i janë vënë në dispozicion Maqedonisë së Veriut përmes marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar, e cila kap vlerën prej gjashtë miliardë eurosh, transmeton zhurnal.mk.

Sektorit shëndetësor do t’i takojë një miliard euro. Aliu u pyet se cilat janë lokacionet që po shqyrtohen për ndërtimin e Qendrës së re Klinike, pas dështimeve të mëparshme në Zlokukani, në Gjorçe Petrov, te kazermat “Ilinden”, por edhe në lokacionin aktual në qendër të Shkupit.

“Përveç kësaj, kemi edhe fonde të tjera që aktualisht po i analizojmë – infrastrukturën duhet ta përforcojmë, prandaj një nga gjërat që do të fillojmë që nga e hëna është hartëzimi, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për Qendrën Klinike. Edhe në qytetet tjera kemi infrastrukturë që nuk është e denjë për shëndetësinë dhe për ofrimin e atij lloji të shërbimit për qytetarët, apo mungesë të resurseve njerëzore dhe mungesë të infrastrukturës teknike në brendësi.”, tha Aliu.

Kohët e fundit, kryeministri Hristijan Mickoski zbuloi se Qendra e re Klinike do të ndërtohet në një lokacion të ri, ndërsa ajo që funksionon aktualisht do të rinovohet dhe rekonstruohet. Mickoski pret që qendra e re të jetë më e lirë se projekti i mëparshëm, për të cilin ishte parashikuar një kosto deri në 480 milionë euro.

“Duhet të shohim bazuar në projektin që e kemi konceptuar – sa shtretër do të ketë, çfarë lloj pajisjesh do të instalohen e kështu me radhë, por në çdo rast do të jetë të paktën 100 deri në 150 milionë euro më e lirë sesa ajo që e promovoi qeveria e mëparshme disa vite më parë.”, tha Mickoski.

Ndryshe, nga mjetet që burojnë nga marrëveshja me Britaninë, është paralajmëruar ndërtimi i një spitali klinik në Shtip, si dhe ndërtesë për Fakultetin e Mjekësisë dhe konvikt studentor, ndërtimi i spitalit në Kërçovë dhe rikonstruktimi i atij në Tetovë. Këto projekte do të kushtojnë rreth dyqind milionë euro.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More