Njësia e Task Forcës e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Rajonale të Drejtorisë Rajonale të Kufirit – Lindje (DRK Lindje), ka ndërmarrë një aksion të suksesshëm në zonën kufitare me Serbinë, në kuadër të masave për luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës.
Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se më 3 qershor, pas pranimit të informatave operative për kontrabandim mallrash, autoritetet policore kanë kontaktuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Me urdhër të tij, është realizuar një kontroll në një shtëpi dhe objektet përcjellëse në territorin e komunës së Gjilanit.
Gjatë këtij kontrolli, janë gjetur sasi të mëdha të duhanit të përpunuar dhe të gatshëm për treg, të markave të ndryshme, me një peshë të përgjithshme mbi 600 kilogramë.
Mallrat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejshme ligjore. Rasti po trajtohet nga njësitë kompetente të Policisë së Kosovës dhe hetimet janë në vazhdim.
Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për të parandaluar dhe luftuar çdo formë të kontrabandës dhe fton qytetarët të raportojnë rastet e dyshimta.