Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe stafi i Presidencës kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hoti, miqtë dhe bashkëpunëtorët, pas ndarjes nga jeta të Petrit Hotit, zyrtar në kabinetin e Presidentes.
Në një postim në “Facebook”, Presidenca ka njoftuar se me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të Hotit, i cili u shua pas një sëmundjeje të rëndë.
“Presidenca e Republikës së Kosovës me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të Petrit Hotit, i cili ka shërbyer si zyrtar në kabinetin e Presidentes së Republikës, znj. Vjosa Osmani.Petrit Hoti u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë pas dhimbje të madhe tek familja, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur si njeri me virtyte të jashtëzakonshme, të ndershëm dhe të përkushtuar në punën e tij.
Në këto momente të rënda, Presidentja Osmani dhe stafi i Presidencës u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Hoti, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.Kujtimi për Petritin do të mbetet i paharruar në institucionin tonë dhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”.
