Prokuroria Speciale e ka ftuar për sot kryeministrin Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në rastin e rezervave shtetërore.
Ai është ftuar për intervistim në ora 10:00.
Gjykata Themelore e Prishtinës ditë më parë ka lëshuar urdhër me të cilin e obligon kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet më Prokurorinë Speciale, në cilësinë e dëshmitarit për çështjen e rezervave shtetërore.
Urdhri për tu paraqitur kryeministri Kurti në prokurori si dëshmitar vjen në ditën kur Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se i është drejtuar përmes një letre Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, brenda zyrës së tij në Qeveri.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi, kishte konfirmuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhrin për dëshmi duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
