Me kërkesë të Këshillit të Evropës, në zbatim të kushteve për integrimin e Shqipërisë si vend anëtar të Bashkimit Evropian, Policia e Shtetit ka shpallur dhe vënë në zbatim një protokoll të veçantë sigurie për gazetarët, raporton noa.al.
Këtë e bëri të ditur sot Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda në një takim me gazetarë. Ai tha se “Policia e Shtetit tashmë ka një udhëzues dhe protokoll sigurie për mbrojtjen e gazetarëve, si dhe një pikë kontakti që ndjek në dinamikë çdo denoncim apo shqetësim të gazetarëve”.
“Ne jemi të angazhuar maksimalisht për sigurinë dhe mbrojtjen tuaj”, siguroi Proda i cili mori sot nga Unioni, Çertifikatën e Mirënjohjes, me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në forcimin e transparencës institucionale dhe përmirësimin e ndjeshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe medias”.
Çfarë përmban Urdhri i firmosur nga Proda ku gjendet Udhëzuesi i Policisë së Shtetit për sigurinë e gazetarëve dhe pikën e kontaktit
1. Qëllimi
Ky udhëzues ka për qëllim të sqarojë procedurat që Policia e Shtetit do të ndjekë për të garantuar sigurinë e gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, si dhe rolin e pikës së kontaktit në bashkëpunimin me median.
2. Fusha e zbatimit
Ky udhëzues zbatohet nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, në të gjitha nivelet e saj, për të gjitha rastet kur gazetarët raportojnë, hetojnë, apo informojnë publikun, sidomos në situata që mund të paraqesin rrezik për sigurinë e tyre.
3. Parime të përgjithshme
Respektimi i lirisë së medias: Policia e Shtetit respekton të drejtën e informimit dhe rolin e medias si element themelor i një shoqërie demokratike.
Neutraliteti: Struktura e policisë duhet të mbetet neutrale dhe e paanshme në raport me përmbajtjen e raportimit të medias.
Bashkëpunimi: Ruajtja e një komunikimi të hapur dhe konstruktiv me gazetarët, për të siguruar që informacioni i nevojshëm për sigurinë të transmetohet në kohë.
4. Roli i pikës së kontaktit
Pika e kontaktit është një oficer policie i caktuar në çdo drejtorinë vendore të policisë.
Detyrat e saj përfshijnë:
1. Marrjen dhe regjistrimin e çdo njoftimi nga gazetarët për kërcënime apo incidente që prekin sigurinë e tyre.
2. Sigurimin e reagimit të menjëhershëm nga strukturat kompetente.
3. Mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm me gazetarin për ecurinë e çështjes.
4. Raportimin tek strukturat qendrore për çdo incident.
5. Procedurat e reagimit
Marrja e njoftimit: Çdo njoftim nga gazetari regjistrohet menjëherë në librin përkatës dhe niset procedura për verifikimin e rrezikut.
Vlerësimi i rrezikut: Përcaktohet niveli i rrezikut dhe merren masa të menjëhershme (p.sh. shoqërim, vendosje rojesh, asistencë gjatë punës në terren).
Koordinimi me strukturat e tjera: Në rastet e rrezikut të lartë, mund të përfshihet edhe Drejtoria e Krimeve të Rënda, Njësia e Antiterrorit, apo shërbimet e tjera të specializuara.
6. Mjetet mbrojtëse për gazetarët
Pajisja me numrat e kontaktit të pikës së kontaktit dhe strukturave të urgjencës.
Ofrimi i shoqërimit policor në raste të caktuara.
Këshillimi mbi masat e sigurisë personale dhe teknologjike.
7. Trajnimi i strukturave të policisë
Oficerët e Policisë së Shtetit që kanë kontakt me median trajnohen rregullisht mbi të drejtat e gazetarëve, komunikimin e sigurt dhe masat mbrojtëse.
8. Raportimi dhe transparenca
Çdo incident i raportuar nga gazetarët dhe masat e marra do të dokumentohen.
Raportet periodike do t’i përcillen strukturave drejtuese dhe, kur është e mundur, do të bëhen publike.
9. Dispozita përfundimtare Ky udhëzues hyn në fuqi menjëherë dhe zbatimi i tij është i detyrueshëm për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit.
/noa.al
Urdhri dhe Udhëzuesi i plotë i Policisë së Shtetit
UDHËZUES I POLICISË SË SHTETIT PËR SIGURINË E GAZETARËVE DHE PIKËN E KONTAKTIT
REPUBLIKA E SHQIPËRISË MINISTRIA E BRENDSHME DREJTORIA E PËRGJITHSHME E POLICISË SË SHTETIT
Nr. // 0/ Prot. Tiranë, më 2.5.2025
**U R D H Ë R** Nr. 760, datë 21.5.2025
**PËR MIRATIMIN E UDHËZUESIT TË POLICISË SË SHTETIT PËR SIGURINË E GAZETARËVE DHE PIKËN E KONTAKTIT**
Në mbështetje të germës “I”, pika 2 të nenit 55, të Ligjit nr. 82/2024, datë 26.07.2024 “Për Policinë e Shtetit”, pikës 2 të nenit 104, e germës “a”, pika 2 të nenit 105 të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 112, datë 24.2.2025,
Me qëllim marrjen e masave për të krijuar një ambient sa më të sigurt për gazetarët përmes reagimit të duhur dhe të shpejtë të strukturave të PSH për të ndjekur dhe adresuar çdo kërcënim apo veprim që cenon veprimtarinë e gazetarëve dhe medias.
U R D H Ë R O J:
1. Miratimin e “Udhëzuesit të Policisë së Shtetit për mbrojtjen e gazetarëve”, bashkëlidhur këtij urdhri dhe pjesë përbërëse e tij.
2. Pika e Kontaktit për trajtimin e rasteve të goditjeve/sulmeve ndaj gazetarëve dhe informimin e ndërgjegjësimin e publikut për këto raste, i caktuar me Urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Nr. 1323, datë 30.9.2024, do të jetë koordinator dhe pikë kontakti për zbatimin e Udhëzuesit nga strukturat e Policisë së Shtetit.
3. Me njohjen dhe zbatimin e këtij urdhri ngarkohen Pika e Kontaktit dhe të gjithë punonjësit e strukturave qendrore, vendore dhe të veçanta të Policisë së Shtetit.
4. Me kontrollin e zbatimit të këtij urdhri ngarkohet Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
DREJTORI I PËRGJITHSHËM Drejtues Madhor Ilir PRODA
—
UDHËZUES I POLICISË SË SHTETIT PËR SIGURINË E GAZETARËVE
POLICIA E SHTETIT Maj 2025
—
TABELA E PËRMBATJES:
1. MESAZH I DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT 2. OBJEKTIVI I HARTIMIT E ZBATIMIT TË KËTIJ UDHËZUESI 3. NJËSIA E SPECIALIZUAR 3.1. Krijimi dhe struktura 3.2. Koordinimi me njësitë e tjera 3.3. Trajnimi dhe ekspertiza 4. HETIMI POLICOR 4.1. Natyra e përshkallëzimit 4.2. Kriteret e prioritizimit 4.3. Bashkëpunimi me organe të jashtme 4.4. Llogaridhënia dhe transparenca me publikun 5. MASAT MBROJTËSE 5.1. Vlerësimi i rrezikut 5.2. Masat mbrojtëse 6. MBËSHTETJA E VIKTIMAVE 6.1. Mbështetja dhe ndihma e menjëhershme 6.2. Informimi i gazetarëve për të drejtat e tyre 6.3. Informimi i gazetarëve për detyrimet e tyre 7. BASHKËPUNIMI DHE KOORDINIMI 7.1. Bashkëpunimi ndërinstitucional 7.2. Partneriteti me organizatat mediatike 8. MONITORIMI DHE RAPORTIMI 8.1. Organet mbikëgyrëse 8.2. Bashkëpunimi me median dhe me shoqërinë civile 8.3. Monitorimi dhe baza e të dhënave 8.4. Paraqitja e ankesave nga gazetarët
—
1. MESAZH I DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT
Gazetarët dhe fuqia e fjalës që ata përfaqësojnë janë një aset publik dhe gur themeli për një demokraci të qëndrueshme. Ata janë ura lidhëse mes Policisë dhe qytetarëve dhe pa zërin e punën e tyre, komunikimi dhe marrëdhënia jonë me publikun do të ishte e cunguar.
Sulmet dhe presionet ndaj gazetarëve nuk janë sulme ndaj individëve, por sulme ndaj lirive kushtetuese, lirisë së shprehjes, dhe të drejtës për informim, janë sulme ndaj një misioni fisnik.
Policia e Shtetit ka qenë vazhdimisht e angazhuar dhe e fokusuar për të adresuar çdo shqetësim të adresuar nga gazetarët dhe e konsideron mbrojtjen e gazetarëve prioritare.
Me këtë “Udhëzues të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve”, synojmë të jemi më afër gazetarëve duke lehtësuar procedurat gjatë kallëzimit dhe të mundësojmë ndjekjen e vijimësisë së tyre nga një pikë e caktuar kontakti dhe së bashku me agjencitë e tjera ligjzbatuese, të jemi garantë të ushtrimit të lirë, në përputhje me kufizimin ligjor, të misionit të gazetarisë në funksion të transparencës dhe interesit publik.
Si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit siguroj angazhimin tim maksimal dhe të organizatës që drejtoj për të trajtuar dhe adresuar menjëherë dhe me prioritet çdo indicie për paligjshmëri, të referuar nga gazetarët. Te Policia e Shtetit, gazetarët do të gjejnë përherë partnerët dhe bashkëpunëtorët më solidë.
**DREJTORI I PËRGJITHSHËM I POLICISË SË SHTETIT** Drejtues Madhor Ilir PRODA
—
**2. OBJEKTIVI I HARTIMIT E ZBATIMIT TË KËTIJ UDHËZUESI**
Për Policinë e Shtetit siguria e çdo qytetari është primare. Qëllimi ynë është intensifikimi i masave parandaluese dhe goditëse ndaj çdo paligjshmërie, duke krijuar një ambient sa më të sigurt për gazetarët që ushtrojnë profesionin e tyre në Shqipëri. Këto masa synojnë reagimin e duhur dhe të shpejtë të strukturave të policisë së shtetit me qëllim që numri i sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve të vijë në rënie dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
Në funksion të këtij qëllimi është dhe nxjerrja e këtij Udhëzuesi për të përcaktuar më mirë veprimet dhe hapat që duhet të ndërmirren në raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Konkretisht: – për të shtuar reagimin ligjor, profesional dhe sa më pozitiv të trajtimit të sulmeve kundër gazetarëve; – për të mbështetur gazetarët dhe punëdhënësit e tyre që të kenë burimet që u nevojiten për të mbrojtur sigurinë personale; – për të ndihmuar në përmirësimin e njohjes publike të vlerës së gazetarëve dhe për të garantuar se Policia e Shtetit është e angazhuar për sigurinë e gazetarëve.
Për ndërtimin e këtij udhëzuesi janë parë modele të ndryshme ndërkombëtare që trajtojnë të njëjtat angazhime për sigurinë e gazetarëve, si: modeli “PersVeilig” i Holandës, protokolli i zhvilluar nga Policia holandeze, në bashkëpunim me organizatat e gazetarëve dhe me prokurorinë, për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe trajtimin e çështjeve të dhunës ndaj tyre. Në kombinim dhe me modele të tjera evropiane për sigurinë e gazetarëve dhe në frymën e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), është përshtatur dhe krijuar ky Udhëzues për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Për krijimin e këtij Udhëzuesi grupi i punës u konsultua gjerësisht dhe me aktorë kryesorë të sferës mediatike, organizata kryesore të gazetarëve në Shqipëri dhe me pjesëmarrës të shoqërisë civile, si: SCIDEV, Res Publica; Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve, API, Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias, gazetarë individualë dhe organizata mediatike, si BIRN Albania, Citizens, ACQJ, Faktoje, INA Media, etj. U organizua dhe një takim pune ku Policia e Shtetit prezantoi Udhëzuesin dhe diskutoi me përfaqësuesit e medias dhe shoqërisë civile lidhur me të. Ky takim pune u ndërmjetësua nga Këshilli i Evropës, bashkë-organizuar me SCIDEV/Res Publica, dhe qëllimi ishte sigurimi i një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.
—
**3. NJËSIA E SPECIALIZUAR**
**3.1. Krijimi dhe struktura**
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Nr. 1323 datë 30.09.2024, janë krijuar dhe përmirësuar strukturat që funksionojnë të lidhura me sigurinë e gazetarëve: Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është caktuar Pika e Kontaktit (shefi i Sektorit të Komunikimit me Median dhe Publikun) për informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për raste të sulmeve e goditjeve ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të medias.
Personi i caktuar si pikë kontakti është përgjegjës për koordinimin e veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, që do të funksionojnë si njësi e specializuar për trajtimin e rasteve të sigurisë së gazetarëve.
Gjithashtu për çdo rast me marrjen e njoftimit, strukturat e Policisë së Shtetit do të vënë në dijeni pikën e kontaktit, i cili do kontaktojë me gazetarin/en që ka problematikën, për t’i ofruar ndihmën paraprake të nevojshme dhe për ta udhëzuar për kallëzimin, duke eliminuar vonesat.
**3.2. Koordinimi me njësitë e tjera**
Pika e kontaktit bashkëpunon dhe shkëmben informacione me strukturat e Policisë, për: a) Rastet e evidentuara dhe trajtuara nga strukturat vendore të Policisë të veprave penale të kryera për shkak të detyrës dhe gjatë ushtrimit të detyrës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të medias, si dhe masat e marra dhe veprimet e kryera nga strukturat vendore të Policisë për ndjekjen ligjore të rastit (kryerja e veprimeve procedurale, ndalimin/arrestimin e autorit, referimin në organin e prokurorisë, etj.). b) Përgatitjen e komunikatave apo deklaratave për mediat e shkruara dhe ato vizive për rastet e sipërpërmendura duke informuar publikun për masat e marra nga strukturat e Policisë për identifikimin dhe vënien e autorëve para drejtësisë. c) Realizimin e pjesëmarrjes në tryeza të rrumbullakëta dhe programe televizive që organizohen nga media të ndryshme vizive, me fokus sigurinë e gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias. d) Mban kontakte të pandërprera me gazetarin apo gazetaren që ka kryer kallëzimin duke e informuar për ecurinë e kallëzimit dhe masat e marra nga Policia e Shtetit. e) Punon ngushtë me sektorë të tjerë të specializuar si njësitë e krimit kibernetik dhe rendit publik, duke siguruar menaxhim gjithëpërfshirës të rasteve për lloje të ndryshme kërcënimesh, me qëllim që kërcënimet digitale dhe fizike ndaj gazetarëve të adresohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke përdorur ekspertizën e sektorëve të tjerë, kur kjo gjë është e nevojshme dhe në përputhje me procedurat standarde që lidhen me këto çështje.
**3.3. Trajnimi dhe ekspertiza**
Të ndërgjegjshëm se efektiviteti i trajtimit të krimeve kundër gazetarëve varet shumë nga ekspertiza dhe formimi i vazhdueshëm profesional i punonjësve të Policisë të përfshirë, strukturat e Policisë së Shtetit ndjekin trajnime të ndryshme në këtë drejtim. Trajnimet, të kërkuara me ligj dhe të mbështetura nga rregullorja e Policisë dhe politikat e trajnimit të punonjësve, synojnë arritjen e standardeve më të larta profesionale, sidomos për trajtimin e sfidave të garantimit të sigurisë së gazetarëve.
Krahas të tjerave, vlen të përmendet se punonjësit e Policisë së Shtetit i nënshtrohen trajnimeve me ndjeshmëri gjinore për të kuptuar natyrën e dhunës me bazë gjinore, sidomos ngacmimin, frikësimin, dhunën seksuale dhe abuzimin digital. Ky trajnim i përgatit punonjësit e Policisë me aftësi për trajtimin e rasteve me ndjeshmëri dhe të kuptuarit e ndikimit specifik që kjo dhunë ka tek gratë gazetare.
Me qëllim njolljen dhe përmirësimin e koncepteve të lidhura me sigurinë e gazetarëve dhe ushtrimin e detyrës së tyre, miratohen e zbatohen programe trajnimesh: “Për garantimin e të drejtave të gazetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të medias për të qenë të pranishëm dhe ushtrimin e profesionit gjatë tubimeve/protestave apo aktiviteteve të tjera të kësaj natyre”, për kursantët/studentët në Akademinë e Sigurisë, si dhe për punonjësit e Policisë në terren.
Disa nga temat e trajnimeve janë: – siguria e gazetarëve në tubime e grumbullime. Detyrimet e PSH për garantimin e sigurisë të gazetarëve dhe të së drejtës për të qenë të pranishëm në tubime, protesta dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre për të kryer misionin e informimit të publikut; – media dhe roli saj në një shoqëri demokratike: këndvështrimi i shoqërisë së gazetarëve për punën e Policisë, për mbrojtjen e garantimin e sigurisë dhe të drejtës së gazetarëve e mediave për ushtrimin e profesionit gjatë tubimeve e aktiviteteve të tjera masive, në mënyrë të lirë dhe të pakufizuar; – bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me median, raporti polici-media, në veprimtarinë e Policisë për përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore; – menaxhimi i situatave/prishjeve të rendit e sigurisë publike në tubime/grumbullime në vendet e hapura për publikun, përdorimi i forcës dhe i mjeteve shi-hedhëse, lëndëve lakrimogjene, etj. – siguria e gazetarëve, liria e shprehjes dhe e drejta për informim, të përfshira në kurrikulën e kursantëve të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, etj.
—
**4. HETIMI POLICOR**
Drejtoritë vendore të Policisë, Departamenti i Policisë Kriminale apo Departamenti për Rendin dhe Sigurinë, për çdo rast të evidentimit të veprave penale që kryhen ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të medias, për shkak të detyrës, informojnë me shkrim menjëherë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për rrethanat e ngjarjes/veprës penale dhe pasojat e ardhura prej saj në dëm të jetës/shëndetit, pronës të gazetarit apo familjarëve të tij, të dhëna për autorin e veprës penale dhe masat e marra ndaj tij, si dhe të dhëna për referimin në organin e prokurorisë.
Gjithashtu, një informacion përmbledhës i dërgohet edhe pikës së kontaktit për sigurinë e gazetarëve me qëllim informimin e publikut, gazetarit/es që ka bërë kallëzim, apo organizatave që trajtojnë rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.
Policia e Shtetit ofron gatishmërinë dhe vullnetin që krimet kundër gazetarëve të trajtohen me përparësi dhe profesionalizëm nga strukturat policore, duke pasur parasysh ndikimin e tyre në të drejtën themelore për lirinë e shprehjes dhe pasojat më të gjera për demokracinë. Të gjitha njësitë e ngarkuara me trajtimin e këtyre rasteve do të garantojnë veprim të shpejtë në trajtimin e këtyre krimeve.
**4.1. Natyra e përshkallëzimit**
Rastet që përfshijnë vepra penale kundër gazetarëve duhet të ndiqen menjëherë brenda hierarkisë së Policisë, në përputhje me procedurat standarde, por me një sens trajtimi prioritar, për të siguruar ndërhyrje të shpejtë. Kjo siguron që këto raste të mos bien pre e vonesave të zakonshme administrative dhe të marrin pa vonesë vëmendje nga drejtuesit e lartë të Policisë.
Të inkurajohen punonjësit e medias për të denoncuar rastet drejtpërdrejt në drejtoritë rajonale ose qendrore të Policisë. Ky denoncim i drejtpërdrejtë siguron që punonjësit e Policisë të kenë mbështetjen dhe autoritetin e nevojshëm për të vepruar me shpejtësi dhe në mënyrë efektive, ndërsa drejtuesit e policisë informohen plotësisht dhe përfshihen në vendimmarrje që në fillim.
Në rastet që ekzistojnë kërcënime të afërta ndaj gazetarëve, njësia e specializuar duhet të përgjigjet e të veprojë sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim që strukturat e Policisë të parandalojnë dëmtimet e mëtejshme.
**4.2. Kriteret e prioritizimit**
Duke qenë se krimet ndaj gazetarëve nuk janë vetëm sulme personale, por dhe shkelje të së drejtës së publikut për t’u njohur me informacion, Policia e Shtetit këto raste i trajton me prioritet të shtuar. Njësia e specializuar me në krye pikën e kontaktit, kryen vlerësimin e kërcënimit me përparësi për çdo rast, duke marrë parasysh faktorë të tillë si: puna e fundit e gazetarit të prekur, përfshirja e krimit të organizuar ose e aktorëve të tjerë, si dhe vlerësimi i potencialit të caktuar që mund të ketë rasti, për ndikim të gjerë publik. Rasteve që përbëjnë një kërcënim të rëndësishëm për interesin e informimit publik, të tilla si ato që ndjekin gazetarët investigativë ose gazetarët që mbulojnë tema të ndjeshme si korrupsioni ose të drejtat e njeriut, u jepet automatikisht përparësi kryesore.
**4.3. Bashkëpunimi me organe të jashtme**
Në rastet kur gazetarët janë në rrezik të lartë, njësia e specializuar bashkëpunon me organizatat e medias dhe grupet e shoqërisë civile për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarit, në përputhje me parimet e policimit në komunitet. Këto partneritete mund të ndihmojnë njësinë të përgjigjet në mënyrë më efektive duke përdorur burime të jashtme dhe inteligjencë. Policia e Shtetit mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjitha shoqatat e gazetarëve që veprojnë në Shqipëri, në funksion të përmirësimit të bashkëpunimit me gazetarët dhe në funksion të përmirësimit të sigurisë së gazetarëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
**4.4. Llogaridhënia dhe transparenca me publikun**
Për të rritur besimin e publikut, përditësimet e rregullta mbi statusin e hetimeve që përfshijnë krimet kundër gazetarëve, duhet të ndahen me publikun dhe organizatat përkatëse të shoqërisë civile.
Për ato raste të shkeljeve të të drejtave të punonjësve të medias, nga punonjës të Policisë, të cilat bëhen publike dhe janë objekt i diskutimit në media, nga ana e drejtuesve të strukturave qendrore dhe vendore të Policisë bëhen deklarata për shtyp ku theksohet angazhimi për të hetuar rastin konkret, nxjerrjen e përgjegjësive dhe ndëshkimin e punonjësve të Policisë përgjegjës me masa disiplinore[2].
—
**5. MASAT MBROJTËSE**
**5.1. Vlerësimi i rrezikut**
Duke qenë se mbrojtja e gazetarëve kërkon një qasje gjithëpërfshirëse dhe elastike, që të trajtojë kërcënimet e përgjithshme, duke marrë parasysh rreziqet specifike me të cilat përballen gazetarët, Policia e Shtetit, ndjek me përparësi të gjitha ato raste kur ushtrimi i profesionit paraqet rrezikshmëri për shkak të rrethanave për punonjësit e medias. Policia është e kujdesshme që të theksojë se masat mbrojtëse përshtaten edhe me nevojat e gazetarëve për ushtrimin e profesionit dhe trajtojnë rreziqet unike me të cilat ata përballen, duke garantuar dhe ofruar siguri si në hapësirat fizike në tubime apo aktivitete të tjera, ashtu edhe në ato digitale.
Ekspertë të ndryshëm të Policisë së Shtetit dhe ata të specializuar për median dhe informimin, që bashkëpunojnë ngushtë me gazetarët, kanë kryer një vlerësim të plotë të rrezikut për rrethanat në të cilat ushtrojnë profesionin gazetarët. Duke marrë parasysh punën e tyre, kërcënimet e ndryshme, mjedisin në kontekstin më të gjerë politiko-social dhe hapësirat fizike dhe digitale ku ata ushtrojnë veprimtarinë profesionale, Policia e Shtetit ka miratuar dhe procedura konkrete për sigurinë e tyre. Ky vlerësim i rrezikshmërisë, ka marrë parasysh kërcënimet fizike, ngacmimet digitale dhe çdo rrezik specifik që lidhet dhe me fokusin e natyrës investigative të profesionit të gazetarit, siç është raportimi për krimin e organizuar ose korrupsionin. Strukturat e Policisë së Shtetit, dhe në këto raste janë të porositura që t’i trajtojnë me prioritet kërcënimet ndaj gazetarëve, të cilat vijnë për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre.
**5.2. Masat mbrojtëse**
Në përputhje me qëndrimin e lartpërmendur, i cili reflekton gatishmërinë e Policisë së Shtetit për garantimin e sigurisë së gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, dhe në frymën e bashkëpunimit me ta dhe shoqatat e tyre, është miratuar edhe _Procedura standarde e punës “Tubimet”, nr. 1180, datë 16.8.2023_, e cila ofron masa mbrojtëse si më poshtë:
Drejtuesit e shërbimeve policore dhe personeli policor i planifikuar për sigurimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e zhvillimit të tubimeve/protestave që zhvillohen në sheshe e vendkalime publike, kanë për detyrë dhe marrin masa për: – Garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave ligjore të gazetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të medias për të qenë të pranishëm në tubime/protesta, për të ushtruar profesionin dhe përmbushur misionin e tyre për të informuar publikun, për të kryer fotografime dhe filmime pa kufi gjatë këtyre aktiviteteve, përfshi dhe veprimet e punonjësve të policisë për sigurimin e rendit dhe menaxhimin e situatave me turmat/prishësit e rendit, etj. – Dhënien e ndihmës në raste të kërkesave dhe ankesave të tyre për pengime apo kundërshtime që u bëhen gjatë ushtrimit të profesionit të tyre nga persona apo grupe personash pjesëmarrës ose jo në tubime/protesta. – Mos pengimin dhe ndalimin e gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias për të operuar dhe raportuar gjatë tubimeve/protestave dhe aktiviteteve të tjera të kësaj natyre. – Vendosjen e komunikimeve me gazetarët dhe përfaqësuesit e medias, dhënien e informacionit për ta lidhur me masat e marra për sigurimin e rendit dhe mbarëvajtjen e tubimeve/protestave, si dhe kur është e mundur t’u bëhen me dije para tubimeve/protestave rreziqet e mundshme që paraqesin tubimet apo protesta të caktuara. – Komunikimin dhe bërjen të ditur gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias që janë të pranishëm gjatë zhvillimit të tubimeve/protestave të vijave kufizuese apo perimetrit të sigurisë që nuk lejohet të kalohet prej tyre, në rastet e situatave të prishjeve të rënda të rendit, kryerjes së veprimeve e akteve të dhunshme nga tubuesit/protestuesit duke kundërshtuar personelin policor me mjetet e sende të forta, kryerjen e dëmtimeve të objekteve publike dhe jo publike me sende të forta, lëndë djegëse e shpërthyese, etj. – Komunikimin me megafon apo qendra zëri dhe paralajmërimin për përdorimin e forcës dhe mjeteve/lëndëve lakrimogjene, mjeteve shi-hedhëse për shpërndarjen e tubimit apo ndërprerjen e akteve të paligjshme që kryhen nga pjesëmarrësit në tubim, para se të përdoret forca dhe mjetet e saj. – Respektimin dhe zbatimin e etikës gjatë komunikimeve që realizohen me gazetarët, përfaqësues dhe aktorë të tjerë të medias, etj.
—
**6. MBËSHTETJA E VIKTIMAVE**
**6.1. Mbështetje dhe ndihmë e menjëhershme**
Për të ofruar ndihmën e menjëhershme në rastet kur dëmtohet një gazetar, sulmohet apo rrezikohet gjatë kryerjes së detyrës së tij, ekziston një pikë kontakti në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë (përmendur më sipër), e dedikuar për këto raste.
Pas marrjes së çdo denoncimi për sulm ose kërcënim ndaj një gazetari, punonjësit e Policisë përgjigjen menjëherë dhe i japin përparësi sigurisë dhe mirëqenies së gazetarit. Policia reagon me shpejtësi për të garantuar sigurinë e gazetarit dhe për të parandaluar dëme të mëtejshme.
Asnjë drejtues i strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, nuk ka të drejtë të marrë në mbrojtje punonjës të Policisë që shkelin dhe dhunojnë të drejtat e gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias në ushtrimin e profesionit për informimin e publikut në tubime/protesta dhe aktivitete të tjera masive të kësaj natyre, por kanë detyrimin ligjor për të: – Evidentuar çdo shkelje të kryer në përmbushje të detyrës dhe çdo ankesë/pretendim apo denoncim të bërë nga përfaqësues të mediave ndaj punonjësve të Policisë për: moslejim për të filmuar, fotografuar, transmetuar apo dhënë informacion për publikun, shkelje të normave të Kodit të Etikës ndaj gazetarëve apo dhunën e tyre. – Analizimin me objektivitet dhe profesionalizëm të rasteve të shkeljeve, trajtimin, hetimin e plotë dhe të pavarur dhe ndëshkimin e punonjësve të Policisë përgjegjës me masa disiplinore, në raport me shkeljet e kryera[3].
**6.2. Informimi i gazetarëve për të drejtat e tyre**
Ligji nr. 8773, datë 23.4.2001 “Për tubimet”, neni 4 “Prania e medias” parashikon se: a) Përfaqësuesit e medias kanë të drejtë të jenë të pranishëm gjatë tubimit dhe nuk mund të përjashtohen nga askush gjatë zhvillimit të tij. b) Përfaqësuesit e medias duhet të jenë të pajisur me kartën e anëtarësisë së medias. c) Prania e përfaqësuesve të medias gjatë tubimit u bëhet e ditur në çdo kohë forca të policisë që ndjekin zhvillimin e tubimit.
Kurse neni 13 “Personat që ndjekin tubimin” parashikon se: “Drejtuesi i tubimit dhe organizatorët e tij vendosin se cilët persona do të ndjekin tubimin, përveç përfaqësuesve të medias të cilët, në asnjë rast, nuk mund të përjashtohen”.
Bazuar edhe në rekomandime të Avokatit të Popullit[4], strukturat e Policisë së Shtetit duke i dhënë përparësi këtyre të drejtave të garantuara me ligj ka marrë masat e nevojshme për të garantuar të drejtën e ushtrimit të profesionit dhe raportimit të ngjarjeve nga gazetarët e pranishëm në tubime apo aktivitete të tjera të kësaj natyre.
Pjesë e masave për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias gjatë tubimeve dhe aktiviteteve të tjera të kësaj natyre, janë edhe njohja prej gazetarëve e të drejtave që ata kanë, si ato që deklarohen nga procedurat e Policisë së Shtetit:
“Gazetarët dhe përfaqësuesit e medias kanë të drejtë: a) të jenë të pranishëm gjatë tubimeve/protestave (grumbullime, manifestime, parakalime dhe aktiviteteve të tjera të këtij karakteri); b) ata nuk mund të përjashtohen apo largohen nga askush gjatë zhvillimit të tubimeve/protestave; c) gazetarët dhe aktorët e tjerë të medias kanë të drejtë të fotografojnë dhe regjistrojnë, duke përfshirë qëndrimet dhe veprimet për trajtimin policor të situatave të cenimit të rendit dhe sigurisë publike (trazirave) dhe se pajisjet e tyre nuk duhet të sekuestrohen vetëm në raste të veçanta në kuadër të një procedimi penal[5].
**6.3. Informimi i gazetarëve për detyrimet e tyre**
Për ushtrimin e këtyre të drejtave ligjore, gazetarët dhe përfaqësuesit e tjerë të medias kanë detyrimin që: – të jenë të pajisur me kartën e anëtarësisë së medias përkatëse (dokument që identifikimi vërteton se është përfaqësues apo gazetar i një media të caktuar); – mungesa apo mospasja me vete e kartës së anëtarësisë/dokumentit që vërteton statusin e gazetarit nuk përbën shkak për largimin apo mos lejimin e gazetarit që të jetë i pranishëm në tubime/protesta dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre; – në këto raste drejtuesit e shërbimeve policore dhe punonjësit e funksioneve: zëdhënës për marrëdhëniet me publikun dhe mediat kryejnë verifikimin e statusit të tyre duke bashkëpunuar dhe konsultuar me organizata të besueshme mediatike dhe organizatat/shoqatat e gazetarëve të cilat mund të konfirmojnë statusin e gazetarit; – prania e përfaqësuesve të medias dhe gazetarëve duhet t’u bëhet me dije në çdo kohë organeve të policisë vendore që monitorojnë dhe kryejnë shërbime për garantimin e rendit gjatë tubimeve/protestave[6].
—
**7. BASHKËPUNIMI DHE KOORDINIMI**
Udhëzuesi është mbështetur në standardet e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, që lidhen me sigurinë e gazetarëve. Shqipëria është pjesë e Fushatës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, duke pasur edhe një person kontakti nga Ministria e Brendshme, për këtë fushatë.
Detyrimet institucionale që rrjedhin nga angazhimi në këtë fushatë, janë: – mënyra e koordinimit mes pikës së kontaktit në ministri, në polici dhe për rastet kur parashikohet koordinimi edhe me Prokurorinë; – si dhe më tej, me organizatat e shoqërisë civile që punojnë në këtë drejtim si edhe me shoqatat e gazetarëve:
**7.1. Bashkëpunimi ndërinstitucional**
Në kuadër të bashkëpunimit për zgjidhjen dhe trajtimin e çdo ankese, drejtues të strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, marrin masa për: – Evidentimin, vlerësimin dhe trajtimin ligjor të çdo ankese apo pretendimi të ngritur nga gazetarët, mediat, shoqatat e gazetarëve etj. për veprimet e qëndrimet e kryera nga personeli policor për pengimin dhe mos lejimin e tyre për të ushtruar profesionin për informimin e publikut gjatë tubimeve/protestave, ushtrim dhune psikologjike e fizike etj., duke marrë masa për ndëshkimin e punonjësve të policisë përgjegjës në mënyrë proporcionale me shkeljet e kryera.
Bashkëpunimin e shkëmbimin e informacioneve me shoqatat e gazetarëve për t’u siguruar që masat e marra nga strukturat/shërbimet e policisë janë efektive, korrekte, ligjore dhe profesionale dhe nuk pengojnë apo cenojnë në mënyrë të padrejtë aktivitetin e raportimit/informimit të publikut gjatë tubimeve e protestave.
Mbrojtja e gazetarëve në Shqipëri kërkon një koordinim të fortë ndërmjet agjencive të ndryshme ligjzbatuese, organeve të drejtësisë dhe institucioneve mbikëgyrëse si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi etj. Policia e Shtetit në zbatim të rekomandimeve e angazhimeve ndërinstitucionale ka përmirësuar pjesën procedurale, ndërgjegjësimin, informacionin dhe qasjen institucionale ndaj sigurisë së gazetarëve. Por, në mungesë të një plani kombëtar veprimi për sigurinë e gazetarëve, bashkëpunimi bazohet në nisma institucionale të veçanta.
**7.2. Partneriteti me organizatat mediatike**
Akademia e Sigurisë, në zbatim të politikave arsimore e trajnuese të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka marrë masa për ndjekjen e programeve të trajnimit sipas raporteve dhe rekomandimeve për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe aktorëve të tjerë të medias. Këto janë përfshirë në kurrikulat e trajnimit dhe shkollimit si për kursantët në Kolegjin Profesional të Formimit Profesional edhe për trajnimet e punonjësve të tjerë të policisë të të gjitha niveleve dhe gradave. Ndërkohë që ekziston kjo qasje synohet që të vendosen e të fuqizohen lidhjet e Policisë së Shtetit me organizatat mediatike, për të zhvilluar iniciativa të përbashkëta që synojnë rritjen e sigurisë së gazetarëve. Pjesë e këtij bashkëpunimi mund të jetë edhe futja në kurrikula e elementeve të misionit institucional e të ushtrimit të detyrës nga policia, – parë në këndvështrimin e sigurisë së gazetarëve, – edhe në programet studimore të Departamentit të Gazetarisë, pjesë e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, gjë që mund të bëhet përmes ndihmës që buron nga marrëveshjet institucionale.
—
**8. MONITORIMI DHE RAPORTIMI**
**8.1. Organet mbikëgyrëse**
Policia e Shtetit e sheh procesin e monitorimit dhe të raportimit si proces me rëndësi thelbësore për garantimin e transparencës, të llogaridhënies dhe të efektivitetit të njësisë së specializuar përgjegjëse për trajtimin e krimeve kundër gazetarëve e cila përfaqësohet nga pika e kontaktit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ekzistojnë mekanizma të mbikëgyrjes që gjurmojnë ecurinë e hetimeve, por edhe që sigurojnë se të dhënat për këto krime registrohen me saktësi dhe vënë në dispozicion të publikut, me qëllim që të ruhet besimi i publikut dhe për përmirësimin e sigurisë ndaj gazetarëve.
**8.2. Bashkëpunimi me median dhe me shoqërinë civile**
Pika e kontaktit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit krijon kanale të rregullta komunikimi me organizatat mediatike dhe shoqërinë civile për të njohur komente mbi efektivitetin e reagimeve të Policisë. Kjo gjë arrihet përmes takimeve periodike dhe këshillimeve të ndryshme publike, ku profesionistë të medias dhe grupe të mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve dhe të të drejtës për informim shprehin shqetësimet, ndajnë përvojat dhe të sugjerojnë përmirësime.
Bashkëpunimi i vazhdueshëm i strukturave të Policisë së Shtetit me Avokatin e Popullit, Komisionerin për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit dhe organizatat e të drejtave të njeriut të specializuara për lirinë e shtypit, ka siguruar zbatimin e praktikave më të mira në operacionet e Policisë dhe mundësimin e qasjes së gazetarëve të informacionit të mundshëm.
**8.3. Monitorimi dhe baza e të dhënave**
Mekanizmat e monitorimit në lidhje me krimet kundër gazetarëve nbildhen, analizohen dhe raportohen në mënyrë që të ndihmohet transparenca, llogaridhënia publike dhe përmirësimi i vazhdueshëm i masave mbrojtëse ndaj gazetarëve.
Ekziston një bazë e sigurt e të dhënave që ruan të gjithë informacionin në lidhje me krimet kundër gazetarëve. Kjo bazë të dhënash përmban detaje për krimet e denoncuara, hetimet në proces, rezultatet e ndjekjes penale, masat mbrojtëse të zbatuara etj.
Baza e të dhënave të sigurta dhe transparente ka indikatore të qarta për llojet e kërcënimeve/sulmeve, efektivitetin e masave mbrojtëse dhe suksesin e ndjekjes penale. Aty regjistrohen të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, ku përfshihen: krimet e denoncuara, hetimet në proces, rezultatet e ndjekjes penale dhe masat mbrojtëse të zbatuara. Ajo disponohet nga Pika e Kontaktit për Sigurinë e Gazetarëve dhe do të shikohet mundësia për hapjen e një dritareje të posaçme informative në webin zyrtar të Policisë së Shtetit për të pasqyruar të gjitha rastet dhe masat e marra.
**8.4. Paraqitja e ankesave nga gazetarët**
Ky Udhëzues përmban një orientim të qartë mbi mënyrën se si gazetarët mund të paraqesin ankesa për sjellje të pahijshme ose shkelje nga Policia e Shtetit. Formatin e kësaj ankese gazetarët do ta gjejnë elektronikisht në momentin që do të realizohet hapja e dritares informative në webin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Gazetarët mund të dërgojnë njoftim për shqetësimin që kanë dhe në adresat e email-it policiacshtetit@asp.gov.al dhe policiacshtetit@gmail.com, si dhe të kontaktojnë me pikën e kontaktit në numrin zyrtar 0694119514 dhe në adresën gentian.mullai@asp.gov.al.
Për çdo ankesë ndaj veprimeve të Policisë, gazetari/ja duhet t’i drejtohet Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe të vërë në dijeni pikën e kontaktit në Policinë e Shtetit, mbi ankesën, me qëllim që të informohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe nëpërmjet Drejtorisë së Standardeve Profesionale, të bëhen verifikimet e nevojshme dhe të merren masat e parashikuara në Rregulloren e Policisë së Shtetit, nëse rezulton shkelje e procedurave standarde të punës nga ana e punonjësve të Policisë.
—
**SHËNIME:** [1] Protokolli “PersVeilig” miratuar në Amsterdam, 4 Nëntor 2019. [2] Letër-porosi, Nr. 4271/2, datë 13.12.2022. [3] Letër porosi, Nr. 4271/2, datë 13.12.2022. [4] Rekomandim nga Avokati i Popullit, nr. K2/I24-5, nr. Dok. 202200775/5, Tiranë 04/11/2022. [5] Procedura standarde e punës “Tubimet”, nr. 1180, datë 16.8.2023. [6] Procedura standarde e punës “Tubimet”, nr. 1180, datë 16.8.2023.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.