Shkup, 14 tetor – Debati politik nuk është vetëm arenë përballjeje ideologjike; është edhe test i guximit, i transparencës dhe i përgjegjësisë ndaj qytetarëve. Kjo u dëshmua qartë në debatin e mbrëmshëm në TV21, i cili në vend të një ballafaqimi të drejtpërdrejtë u shndërrua në një intervistë të njëanshme, pasi Bujar Osmani zgjodhi të mos përballet me Izet Mexhitin. Ky refuzim nuk është një detaj i parëndësishëm por një akt me domethënie të thellë politike dhe morale, shkruan Zhurnal.
Qytetarët kanë nevojë t’i shohin kapacitet e garuesve –
Mungesa e Osmanit në debat nuk mund të shpjegohet me arsye teknike apo orare të ngjeshura. Ajo përkon me një prirje të vjetër të politikanëve që kur ndihen të cenuar nga e vërteta ose të dobët në argument zgjedhin heshtjen në vend të ballafaqimit. Dhe heshtja në politikë shpesh flet më fort se çdo deklaratë.
Frika për t’u përballur me Izet Mexhitin tregon shumë më tepër se një zgjedhje taktike. Ajo nënkupton mungesë besimi në vetvete, mungesë guximi për të mbrojtur qëndrimet, dhe mbi të gjitha, mungesë respekti ndaj qytetarëve që presin përgjigje. Kur një figurë publike shmang debatin ajo i mohon votuesit të drejtën për të vlerësuar programet idetë dhe karakterin e atyre që kërkojnë të përfaqësojnë interesat e tyre.
Në një sistem demokratik, debati është oksigjeni i politikës. Ai u mundëson qytetarëve të dallojnë mes fjalëve boshe dhe vizioneve të qarta, mes politikanëve që përballen dhe atyre që fshihen. Prandaj, refuzimi i Osmanit për t’u përballur me Mexhitin është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj vetë demokracisë së brishtë në vend.
Në anën tjetër, pranimi i Izet Mexhitit për t’u ballafaquar publikisht madje edhe pa kundërshtarin përballë e vendos atë në një pozitë të ndershme politike. Ai shfaqet si figurë që nuk i ik pyetjeve, kritikave apo përgjegjësisë, dhe që beson në fuqinë e debatit si instrument për të ndërtuar të ardhmen.
Në fund të fundit, politika nuk matet vetëm me premtime, por me gatishmërinë për t’u përballur me sfidat. Dhe një nga sfidat më të rëndësishme është ajo e ballafaqimit publik. Sepse ai që frikësohet të përballet në debat, si mund të përballet me sfidat e qeverisjes, me problemet e qytetarëve, me krizat që kërkojnë vendime të vështira?
Debatet nuk janë luks elektoral, por themel i kulturës demokratike. Ato janë pasqyrë e guximit dhe e sinqeritetit politik. Prandaj, refuzimi për t’u përballur është refuzim për të ndërtuar një të ardhme të hapur, ku qytetarët vendosin mbi bazën e fakteve, jo të propagandës.
Në këtë kuptim, mbrëmë në TV21 nuk mungoi vetëm një politikan mungoi një mundësi për demokracinë, dhe rastet e tilla nuk duhet të kultivohen, përkundrazi, të kritikohen në maksimum që mos të përsëriten asnjëherë. Standard duhet të jetë që secili garues të përballet me kundërkandidatët e tij. /Zhurnal.mk
