Shkup, 23 shtator – Prokuroria Themelore Publike ende nuk e ka marrë vendimin nga Gjykata Penale dhe shpjegimin për dënimin me kusht prej dy vitesh pa ndalesë për kryerjen e veprimtarisë për të pandehurën e dytë në rastin “Onkologjia”, onkologen Meri Peshevska.
Nga Prokuroria thonë se pranimi i fajit dhe gjykimi për Peshevskën është vërtetim për meritën e akuzave, ndërsa sanksionin për veprën e kryer penale e cakton Gjykata.
“Pranimi i fajit dhe dënimi i shpallur për njërin nga të pandehurit në rastin “Onkologjia” është vërtetim i meritave të pretendimeve në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup. Vlerën e sanksionit për veprën e kryer penale e cakton Gjykata, ndërsa Prokuroria ende nuk e ka marrë vendimin dhe shpjegimin për dënimin e shqiptuar”, qëndron në kumtesë.
Pas marrjes së raportit, shtuan ata, Prokuroria Publike do të vendosë nëse do të paraqesë ankesë në lidhje me dënimin.
Gjykata Themelore Penale në Shkup i ka shqiptuar dënim me kusht prej dy vitesh pa ndalesë në ushtrimin e profesionit të pandehurës së dytë në rastin e onkologjisë, onkologes Meri Peshevska, nëse në afat prej pesë vitesh nuk kryen vepër të re penale. Para dy seancave gjyqësore, Peshevska pranoi veprën e trajtimit neglizhent ndaj pacientëve, pas së cilës procedura penale kundër saj është ndarë.
Peshevska së bashku me ish drejtorin e Klinikës së onkologjisë Nikolla Vasev dhe dy onkologë të tjerë u akuzua për trajtim neglizhent të pacientëve. Sipas aktakuzës, ata ngarkohen për veprat penale “krime të rënda kundër shëndetit të njerëzve” dhe “trajtim neglizhent”, ku ndaj 29 pacientëve janë aplikuar terapi të papërshtatshme, me lëshime në dozë dhe pa një vlerësim adekuat të gjendjes së tyre shëndetësore.