Komisioni i Mbikëqyrjes së Kongresit amerikan ka publikuar pamjet që plotësojnë të ashtuquajturën “minutë e humbur” nga videoja e mbikëqyrjes përpara qelisë së burgut të Jeffrey Epstein, natën e vdekjes së tij në vitin 2019.
Dy pamje kyçe, të publikuara si pjesë e një arkivi prej afro 34 mijë dokumentesh të shpërndara mbrëmë nga Komisioni, tregojnë kalimin mes orës 23:58:59 të datës 9 gusht 2019 dhe mesnatës së 10 gushtit – periudha kohore për të cilën më parë ishte pretenduar se mungonte.
Ekspertët e forenzikës dixhitale kishin përcaktuar më parë se videoja e publikuar nga Departamenti i Drejtësisë ishte përbërë nga të paktën dy pamje të ndara të bashkuara me montazh, gjë që nxiti teori konspirative për fshehje të mundshme të vdekjes së Epsteinit.
Pamja e re tregon se kamera kaloi në një regjistrim tjetër pikërisht në mesnatë, çka e bëri të nevojshme bashkimin e dy videove për të krijuar një regjistrim të pandërprerë.
Kjo tregon se në fakt nuk ka pasur ndërprerje në video, duke kundërshtuar deklaratën e mëparshme të prokurores së përgjithshme Pam Bondi, e cila kishte thënë se “minuta e fundit fshihet çdo natë”.
“Ajo që mësuam nga Administrata Federale e Burgjeve ishte se regjistrimet fshihen çdo natë dhe se çdo natë mungon e njëjta minutë”, kishte pohuar Bondi gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë.
Materiali i publikuar fillimisht nuk tregonte asnjë aktivitet në qelinë e Epstein gjatë kohës së diskutueshme. Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në New York, ndërsa po priste një gjyq të ri për akuza të lidhura me abuzim seksual ndaj të miturve. Departamenti i Drejtësisë kishte përfunduar se ai kishte kryer vetëvrasje.
