Punime restauruese në Kishën e Shën Todrit, nga më të vjetrat e Myzeqesë

nga D. V.

Kisha e Shën Todrit, në Kadipashaj të Lushnjës, është një nga monumentet e çmuara të zonës që po merr jetë të re.

Kisha i është nënshtruar punimeve restauruese të cilat po zhvillohen me kujdes e profesionalizëm, duke konsoliduar strukturën, restauruar elementet arkitektonike dhe vendosur sistemin e drenazhit që do ta mbrojë nga dëmtimet.

Nën mbikëqyrjen e specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ky proces synon jo vetëm ruajtjen e vlerave historike e shpirtërore të kishës, por edhe rikthimin e saj si një hapësirë e gjallë e identitetit kulturor të komunitetit.

Fillimet e saj datojnë rreth vitit 1300 dhe është një ndër kishat më të vjetra në zonën e Myzeqesë. Fillimisht thuhet të ketë pasur një manastir dhe kisha u ndërtua më vonë.

Kisha e Shën Todrit ruan ende afreske me vlera historike. Ajo është shpallur Monument Kulture, Kategoria I dhe i përket periudhës pasbizantine e tipit bazilikal, e pikturuar nga vëllezërit Çetiri.

Me rëndësi është edhe restaurimi i pikturës murale, ikonostasi si dhe i tavanit të drurit të dekoruar në naos, krejt i veçantë në llojin e tij.

Kisha e Shën Todrit mendohet të jetë e dyta për nga vjetërsia pas manastirit të Ardenicës. Ndryshe nga shumë kisha të Myzeqesë, këtu pjesët përbërëse, naosi, narteksi dhe hajati, janë të dalluara nga njëra-tjetra. Naosi është i tipit bazikal, me përmasa të brendshme 14×8,40 m, i ndarë nga dy radhë kolonash druri në tre nefe. Naosi është i pajisur me tavan dërrase, i cili përmban në pjesën qendrore një thellim të imitimit të kupolës qendrore.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More