Legjenda e tenisit botëror, Rafael Nadal, ka komentuar mbi një temë të nxehtë te Real Madridi, që lidhet me situatën përreth yllit brazilian Vinicius Junior.
Gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Universo Valdano” në Movistar+, Nadal ndau perspektivën e tij mbi këtë çështje, transmeton GazetaBlic Sport.
Prezantuesi Jorge Valdano e pyeti ish-tenistin se si mund të zgjidheshin problemet që rrethonin brazilianin, duke iu referuar marrëdhënies së tij me trajnerin Xabi Alonso. Nadal ishte i bindur se komunikimi është çelësi.
“Unë besoj se kjo zgjidhet përmes dialogut, me mirëkuptim nga të gjitha palët. Mendoj se Vinicius duhet ta kuptojë se kush është autoriteti dhe ta respektojë atë, si dhe klubin, për gjithçka që do të thotë të jesh lojtar i Real Madridit. Por unë besoj se ai e bën këtë në përpjekjen e tij për të dhënë më të mirën, dhe këto reagime të tij, të cilat ndonjëherë nuk pëlqehen, mund të korrigjohen përmes dialogut dhe të kuptuarit se gjërat mund të përmirësohen”, tha Nadal.
