Raporti i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut zbardh përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë dhe Rusisë në projekte destabilizuese në Ballkan përmes projektit “Bota Serbe”, me theks të veçantë në Kosovë.
Kisha Ortodokse Serbe, grupet paramilitare dhe liderët politikë përdoren si instrumente për avancimin e kësaj agjende.
Në raport flitet edhe për gjendjen e rëndë në Serbi dhe represionin e regjimit të Vuçiqit karshi qytetarëve të tij.
Projekti “Bota Serbe” është identifikuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut si një nga instrumentet kyçe përmes të cilit Rusia, në bashkëpunim me elitën politike serbe, po tenton të rikthejë ndikimin në Ballkan, me fokus të veçantë në Kosovë.
Sipas raportit, pas disfatave në luftërat e viteve ’90 dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Beogradi, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Moska, i është kthyer ideologjisë së “projektit shtetëror”, tashmë të njohur si “bota serbe”.
Kjo qasje përfaqëson një formë të re të revizionizmit historik dhe përfshin përdorimin e mjeteve të buta si kontrolli i mediave, arsimit, institucioneve kulturore, por edhe lidhjet shpirtërore me komunitetet serbe në rajon.
Raporti kritikon Perëndimin për tolerancën ndaj këtyre zhvillimeve, duke theksuar se përpjekjet për ta afruar Serbinë me strukturat euroatlantike janë bërë shpesh duke injoruar rolin e saj destabilizues në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kjo politikë ka forcuar regjimin autoritar të Aleksandar Vuçiqit dhe ka shtuar ndërhyrjet e Beogradit në punët e brendshme të shteteve të tjera.
Raporti i Helsinkit vë në dukje se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) është bërë një nga aktorët më të rëndësishëm në përpjekjet për rritjen e ndikimit serbo-rus në rajon, sidomos në Kosovë.
Një shembull i kësaj përfshirjeje është takimi i patriarkut serb Porfirije me presidentin rus Vladimir Putin më 22 prill 2025 në Moskë.
Gjatë këtij takimi, Porfirije deklaroi se qëndrimi i Kishës për Kosovën, Malin e Zi dhe Republikën Serbe varet nga pozicioni gjeopolitik i Rusisë, duke shtuar se dëshira e Kishës është të jetë “afër botës ruse” nëse ndodh një riorganizim global.
Kjo deklaratë, në të cilën përmendet drejtpërdrejt Kosova si pjesë e “botës serbe” dhe falënderimi ndaj Putinit për mbështetjen ndaj “popullit tonë dhe Kishës sonë” në Kosovë, ka ngjallur reagime të ashpra në Mal të Zi, por jo nga qeveria, e cila ka lidhje të ngushta me Kishën Serbe.
Për më tepër, Parlamenti Evropian në mars 2022 kishte shprehur shqetësim për përpjekjet e Kishës Serbe në rajon për të promovuar Rusinë si mbrojtëse e “vlerave tradicionale familjare” dhe për të forcuar lidhjet e shtetit me Kishën.
Sipas eurodeputetëve, kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë të Kremlinit për të ndezur konfliktet dhe përçarjet etnike në Ballkan.
Në këtë kontekst, Kosova paraqitet si një nga frontet më të rrezikuara.
