Raporti i IKD-së: Tetë kandidatë për kryetarë komunash kanë probleme me ligjin

nga D. V.

Tetë kandidatë për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kanë probleme me ligjin, sipas raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për integritetin e kandidatëve.

Sipas raportit, tre kandidatë për kryetarë komunash që kanë probleme me ligjin janë kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa një është i Lëvizjes Vetëvendosje. Tre kandidatë janë nga iniciativat qytetare Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Srpska Narodna Sloga dhe Iniciativa Demokracia dhe një është kandidat i pavarur.

“IKD ka avokuar vazhdimisht për dekriminalizimin e politikës, në kuptim që personat të cilët kanë probleme me ligjin, edhe nëse nuk kanë ndalesa specifike ligjore, mos të jenë pjesë e listave zgjedhore dhe bartës të funksioneve të caktuara publike. Problemet me ligjin konsistojnë qoftë në aktakuza aktive apo dënime të formës së prerë. Siç është theksuar vazhdimisht, kërkesa për mos kandidim të personave të cilët kanë probleme me ligjin nuk nënkupton cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë por se synon të dërgojë një mesazh pozitiv, në atë mënyrë që përderisa problemet me ligjin nuk përfundojnë, partitë politike nuk kandidojnë persona të tillë.

Bazuar në të dhënat e monitorimit të IKD, nga 206 kandidatët për kryetarë të komunave, tetë (8) prej tyre apo 3.9% janë persona të cilët kanë probleme me ligjin. Prej tyre, janë gjithsej katër (4) kandidatë të cilët kanë aktakuza aktive, mbi bazën e të cilave aktakuza edhe janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë, por se këto dënime ose janë kthyer në rigjykim ose nuk kanë marrë formën e prerë. Ndërkaq, janë  identifikuar edhe pesë (5) kandidatë që në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë.

Tek kandidatët për kryetarë të komunave që IKD ka gjetur se kanë probleme me ligjin, përfshihen katër (4) kandidatë nga dy parti politike, tre (3) prej tyre nga PDK dhe një (1) nga LVV. Përderisa, tre (3) kandidatë janë nga tri iniciativa qytetare, Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Srpska Narodna Sloga dhe Iniciativa Demokracia. Kurse, një (1) është kandidat i pavarur.

Sa i përket shtrirjes sipas komunave të kandidatëve që kanë probleme me ligjin, IKD gjen se kandidatë të tillë evidentohen në gjithsej shtatë (7) komuna. Kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet e 12 tetorit 2025 të cilët kanë probleme me ligjin janë akuzuar në 12 raste, për gjithsej 10 vepra të ndryshme penale.

Krahasimisht me zgjedhjet lokale të vitit 2021, IKD gjen se ka progres sa i përket numrit të përgjithshëm të kandidatëve me probleme me ligjin, numrit të kandidatëve me aktakuza aktive dhe numrit të komunave në të cilat garojnë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin. Progres poashtu vërehet edhe në numrin e partive politike që përfshijnë në listat e tyre kandidatë për kryetarë të komunave. Në vitin 2021 ishin evidentuar katër (4) parti politike, përderisa në zgjedhje lokale 2025, janë evidentuar dy (2) parti politike. Mirëpo, në këto zgjedhje janë evidentuar edhe tri (3) nisma qytetare që kanë paraqitur kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin, përderisa një kandidat tjetër është i pavarur, të cilët formalisht trajtohen si subjekte politike. Në anën tjetër, IKD evidenton regres sa i përket numrit të kandidatëve me dënime të formës së prerë”, thuhet në raportin e IKD-së.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More