“Royal Mint” ka prezantuar koleksionin e ri të monedhave dedikuar legjendës së “Queen”, Freddie Mercury, sipas “Independent”.
Dizajni i punuar me kujdes paraqet Mercury duke performuar, bashkë me nënshkrimin e tij.
Detajet e monedhës rrëfejnë historinë e talentit të jashtëzakonshëm të Mercury.
Diapazoni i tij i njohur vokal prej katër oktavash simbolizohet nga një shufër muzikore që rrethon skajet e monedhës, duke filluar nga basët deri te notat e larta.
Frymëzim i mëtejshëm për dizajnin vjen nga performanca e paharrueshme e Mercury në koncertin historik bamirës “Live Aid” – i mbajtur më 13 korrik 1985, në stadiumin Wembley në Londër dhe në stadiumin JFK, në Filadelfia.
Monedhat përfshijnë gjithashtu ngjyra, si xhaketën e verdhë ikonike të këngëtarit dhe performancën e tij të gjallë në skenë.
Ky prodhim special i monedhave përkon me përvjetorë të rëndësishëm: 40 vjet që nga koncerti historik “Live Aid” në vitin 1985 dhe 40 vjetori i albumit solo të Mercury, “Mr Bad Guy”, i publikuar në të njëjtin vit.
“Freddie Mercury nuk ishte thjesht një muzikant, ai ishte një forcë e natyrës që transformoi çdo skenë në të cilën shkeli. Kjo monedhë kap momentin e energjisë së tij elektrike dhe nderon një ikonë vërtet globale, ndikimi i së cilës vazhdon të frymëzojë breza. Detajet në këtë dizajn fillojnë, nga nënshkrimi e tij deri te stema muzikore që përfaqëson gamën e tij të jashtëzakonshme vokale, duke e bërë këtë një nga monedhat tona përkujtimore më të veçanta”, tha Rebecca Morgan, drejtoreshë e monedhave përkujtimore në “Royal Mint”.
Kjo monedhë koleksionuese vazhdon traditën e “Royal Mint” për të nderuar individë që kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në skenën botërore, duke u bashkuar me legjendat e tjera të muzikës në seri, duke përfshirë David Bowie, George Michael, Dame Shirley Bassey dhe Sir Paul McCartney.
Në një gjest filantropie, “Royal Mint” do të dhurojë një version të monedhës të ngjyrosur me ar për “Mercury Phoenix Trust”, organizata bamirëse kundër AIDS – e themeluar në kujtim të këngëtarit.
Organizata bamirëse planifikon ta nxjerrë në ankand monedhën në muajt në vijim, duke çuar më tej misionin e Mercury për të mbështetur personat që preken nga HIV dhe AIDS.
