Rrëfehet Rooney: Kam pasur probleme të mëdha me alkoolin, pa gruan time do të isha i vdekur

nga D. V.

Wayne Rooney, legjendë e futbollit anglez dhe golashënuesi më i mirë në histori të Manchester Unitedit, ka zbuluar në podcastin me ish-bashkëlojtarin e tij, Rio Ferdinand se e kishte kaluar një periudhë të shënuar me probleme serioze me alkoolin.

Ish-sulmuesi, sot 39-vjeç, ka folur pa filtra të një “momenti mjaft të vështirë si person”, i cili rrezikonte t’ia shkatërronte krejt karrierën si futbollist, përcjell “Gazeta Express”.

“Natyrisht që e kam ekzagjeruar, kisha ardhur në një pikë që të mos kthehesha më”, shtoi ai.

“Mendoja se nuk mund të kërkoja ndihmë nga askush, në realitet nuk doja ta bëja, sepse nuk doja që t’i ngarkoja të tjerët me një peshë të tillë”, nënvizoi tutje Rooney.

Ish-futbollisti i Evertonit dhe Manchester Unitedit e kujton po ashtu periudhën kur ishte munduar ta fshihte gjendjen e tij nga trajnerët dhe nga shokët e skuadrës.

“Mbaj mend kur shkoja në stërvitje me pika në sy dhe me çamçakëz. Ndonjëherë pija për dy ditë rresht”, tregon ish-përfaqësuesi anglez.

Paradoksalisht, pikërisht në ato vite ishte duke i kaluar momentet e tij më brilante në fushë me gola vendimtarë dhe paraqitje që e kishin shndërruar në ikonë të Manchester Unitedit dhe të Kombëtares angleze.

Vendimtare dhe shpëtimtare në atë periudhë ishte gruaja e tij, Coleen.

“Sinqerisht, mendoj se nëse ajo nuk do të ishte përkrah meje, sot do të isha i vdekur”, përfundoi Rooney.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More