Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Suedinë sonte me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kjo përballje ka mundur t’i ketë vëllezërit Zeneli si kundërshtarë, mirëpo as Arbëri nuk është grumbulluar nga Kosova dhe as Besforti nga Suedia.
Futbolli shpesh sjell histori të veçanta, por ajo e vëllezërve Arbër dhe Besfort Zeneli është vërtet unike.
Arbëri, sot 30 vjeçar, fitoi medaljen e artë të Kampionatit Evropian U21 me Suedinë, por në nivelin e të rriturve zgjodhi të përfaqësonte Kosovën, për të cilën ka luajtur 33 ndeshje dhe ka shënuar 9 gola. Ndërkohë, vëllai i vogël, Besforti (22 vjeç), bëri rrugën e kundërt, nga ekipet e të rinjve të Kosovës u orientua drejt kombëtares A të Suedisë.

Në një intervistë për gazetën suedeze ‘aftonbladet’, Arbër Zeneli shpjegoi lidhjen e tij të fortë me Kosovën, por edhe disa mosmarrëveshje që kanë mbetur pezull me Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Qëllimi për të luajtur për ekipin kombëtar të Kosovës është gjithmonë aty. Por unë dhe Federata e Futbollit të Kosovës kemi disa punë të papërfunduara. Do ta shohim”, tha sulmuesi dardan.
Ai shtoi se incidenti që ka ndodhur dy vite më parë e ka lënë situatën pezull.

“Nuk dua të hyj në detaje në media sepse nuk kemi qenë në gjendje të kuptojmë se kush kishte të drejtë dhe kush kishte gabim. Dua ta diskutoj situatën me ata që janë të përfshirë. Mund të ketë qenë një keqkuptim. Nuk e besoj atë që është thënë”.
Megjithatë, Zeneli mbetet i vendosur për të mbetur pjesë e Kosovës.
“Kosova është kombëtarja ime. Ishte zgjedhja ime kur isha 20-21 vjeç, sepse ata kishin një vizion. Shpresoj që t’i përmbahen atij”, theksoi Zeneli.

Historia e Zenelëve është një shembull i rrallë i mënyrës sesi dy vëllezër mund të ndjekin rrugë krejt të kundërta në futbollin ndërkombëtar – njëri i lidhur me origjinën e tij, tjetri me vendin ku u rrit dhe u formua si lojtar.