Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë ka refuzuar kërkesën e Bedri Selmanit në vlerën prej 60 milionë euro.
“Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), në çështjen nr. 24443/MHM/HBH, me 01.08.2022, e kishte refuzuar kërkesën e Bedri Selmanit në vlerë prej 60 milionë euro kundër Republikës së Kosovës (Kosova Petrol & Hotel Victory) dhe njëkohësisht e kishte detyruar të njëjtin t’ia kompesoi Republikes së Kosovës shpenzimet e shkaktuara në këtë procedurë në shumë prej 1,477,165.38 USD dhe 71,653.305 €”, ka shkruar Sallahu.
Sallahu ka thënë se edhe Gjykata e Apelit në Paris ka refuzuar padinë e Selmanit, e që sipas tij ka detyruar që ta kompensojë shpenzimet e Republikës së Kosovës me shumën prej 120 mijë euro.
“Z. Bedri Selmani kundër vendimit të arbitrazhit kishte ushtruar padi për anulimin e të njejtit në Gjykatën e Apelit në Paris, ndërsa e njëjta ka refuzuar padinë dhe e ka urdhëruar z. Selmani qe t’ia kompensojë shpenzimet Republikës së Kosovës në shumën prej 120,000.00 euro. Kujtojmë se Republika e Kosovës më herët e ka angazhuar zyrën ligjore përkatëse në Londer për fillimin e procedurës së ekzekutimit të vendimit të arbitrazhit, meqë vendbanimi i z. Selmanit ishte në Londer. Edhe një fitore e Republikës së Kosovës për çështjen e njëjt, tashmë në Gjykatën e Apelit në Paris”, ka shkruar Sallahu.

