Shkup, 11 gusht – Më 11 gusht 2025, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, priti në kabinetin e tij shkrimtarin dhe teologun e njohur, Zekerija Idrizi, shkruan Zhurnal.mk.
Idrizi, i cili ka shërbyer më parë në BFI të RMV-së dhe si imam në Gjermani e vende të tjera të diasporës, njihet për kontributin e tij të gjerë në fushën e shkrimit. Ai ka botuar me dhjetëra vepra filozofike, shoqërore, fetare dhe kombëtare, të cilat janë përkthyer në disa gjuhë ndërkombëtare, mes tyre anglisht, gjermanisht, arabisht, maqedonisht dhe italisht.
Gjatë takimit, u zhvillua një bisedë e gjerë mbi domosdoshmërinë e prezantimit të vlerave në përputhje me zhvillimet bashkëkohore në sferën fetare, filozofike dhe socio-politike.
Shaqir Fetahu theksoi rëndësinë e kontributit të tillë në shpjegimin e Islamit si një fe që mbështet dijen, kulturën, paqen, dialogun, tolerancën dhe vlerat njerëzore.//Zhurnal.mk