Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e raketave antitank “Javelin” dhe municioneve të artilerisë “Excalibur” me vlerë 93 milionë dollarë për Indinë, sipas “Reuters”.
Sipas Agjencisë Amerikane të Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen (DSCA), India kërkoi deri në 216 predha taktike “Excalibur” dhe 100 njësi raketash antitank “Javelin”.
DSCA tha se shitja do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve strategjike SHBA-Indi.
Gjithashtu, do të rrisë sigurinë e një partneri të madh të mbrojtjes dhe do të promovojë stabilitetin, paqen dhe përparimin ekonomik në rajonet Indo-Paqësore dhe Azinë Jugore.
Kjo shitje shënon blerjen e parë të sistemeve të mbrojtjes nga India – në kuadër të programit të shitjeve ushtarake të Uashingtonit – që nga përshkallëzimi i tensioneve në gusht, kur presidenti Donald Trump dyfishoi tarifat për mallrat indiane në 50% për shkak të blerjeve të naftës ruse nga Nju Delhi.
Këtë muaj, India gjithashtu riporositi motorë avionësh luftarakë nga “General Electric” për avionët e saj luftarakë “Tejas” të prodhuar në vend.
Këto lëvizje tregojnë një normalizim gradual dhe forcim të bashkëpunimit ushtarak SHBA-Indi.
