Një operacion i përbashkët i Doganës dhe Policisë Kufitare në PKK Hani i Elezit ka rezultuar me arrestimin e shtetases italiane, e cila po udhëtonte me një autobus, ku gjatë kontrollit janë zbuluar disa sasi të lëndëve narkotike sintetike dhe kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara.
Gjatë kontrollit në vijë të dytë në valixhet e saj, janë gjetur katër qese me pluhur të bardhë të dyshuar për substancë narkotike. Pas sjelljes së saj në DHTN-Ferizaj dhe kontrollit të mëtejmë, në çantat e të dyshuarës janë gjetur edhe dy shishe me likuid narkotik (GBL), mjete për tymosje të drogave, dy telefona, si dhe kartëmonedha prej 100 euro, të dyshuara si të falsifikuara.
Testet fushore të kryera nga DHTN-Ferizaj kanë rezultuar si vijon: Methamphetamine: 21.95 g, Methamphetamine: 2.99 g, Mephodrone (MMC): 4.20 g, pluhur i bardhë substancë narkotike: 1.78 g, GBL – dy shishe prej 83.96 g dhe 74.84 g
Gjithashtu, janë sekuestruar 4820 euro para të gatshme, si dhe dy kartëmonedha 100-euroëshe që dyshohen të jenë të falsifikuara.
