Shkup, 7 gusht – Guvernatori Trajko Sllavevski vlerëson se është herët të ndjehen efektet e para nga vendosja e doganave amerikane, të cilat tani për tani për Maqedoninë janë 15 për qind. Siç tha sot, duke marrë parasysh se vendimi i tillë është marrë “para disa ditëve”, pritet tani të bëhen analizat e nevojshme.
“Ende nuk kemi efekt nga vendosja e doganave. Madje edhe vlerësimet e SHBA-së janë, pasi edhe tek ata do të ketë ndikim, se pas pesë-gjashtë muajve do të mund të ndjehen efektet e para. Normat doganore janë prej para disa ditëve. Duhet të bëjmë analiza, të shohim në cilën masë kjo do të ndikonte, tani nuk kam informatë të saktë për këtë”, tha Sllavevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencë për shtyp.
Vendimi i SHBA-së, sipas të cilit produktet vendore do t’i nënshtrohen një tarife prej 15 për qind, hyn në fuqi sot, ndërsa u miratua më 1 gusht. Doganë prej 15 për qind, SHBA-ja do të ketë edhe me Bashkimin Evropian, me të cilin lidhën marrëveshje tregtare më 27 korrik. Nga vendet e rajonit, produktet nga Kroacia dhe Sllovenia do të kenë gjithashtu normë tarifore prej 15 për qind, produktet nga Serbia do t’i nënshtrohen një tarife prej 35 për qind, produktet nga Bosnja dhe Hercegovina do t’i nënshtrohen tarifës prej 30 për qind, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë tarifën më të ulët, 10 për qind.
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që tarifat amerikane ndaj Maqedonisë të ulen nën 15 për qind, sepse, siç deklaroi një javë më parë, negociatat do të vazhdojnë në gjysmën e dytë të gushtit, pas pushimeve verore. Ministria e Financave beson se tarifat mund të ulen deri 10 për qind, ndërsa sipas drejtorit të Administratës doganore, Boban Nikollovski, deri në fund të shtatorit duhet të dihet se cila normë tarifore do të përcaktohet.