Shkup, 31 korrik – Ekziston interes i madh për investime në turizmin rural, kemi edhe mbështetje evropiane përmes IPARD-it, por që të tërheqim dhe shfrytëzojmë sa më shumë fonde, fillimisht duhet t’i zgjidhim problemet në fushën e planifikimit urbanistik. Në disa komuna ende nuk janë urbanizuar lokacionet atraktive për investime të mundshme, dhe sipas procedurave të IPARD-it, marrja e lejes për ndërtim është kushti kryesor për të aplikuar për këtë lloj investimi dhe që të jetë e pranueshme për pagesë, thotë drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (AMFBZHR), Ilija Stojlev.
Në një intervistë për MIA-n, Stojlev informon për gjendjen e pagesave të subvencioneve, sa kontrollohet realizimi i tyre, cilat masa janë më tërheqëse për bujqit, dhe si do të jetë shfrytëzimi i fondeve nga IPARD-i. Vitin e kaluar, thekson ai, është përmbyllur me një pagesë rekord prej 8.400.000.000 denarë mbështetje direkte, ndërsa deri më tani, nga korriku 2024 deri në korrik 2025, janë paguar mbi 10.000.000.000 denarë. Realizimi i Programit për vitin 2024 është mbi 85 për qind.
Deri në fund të vitit, drejtori paralajmëron se do të publikohen edhe dy thirrje të reja publike nga IPARD 3, ndërsa fondet e përgjithshme për të cilat do të nënshkruhen kontrata nga ky Program pritet të arrijnë në 8.000.000 euro.
“Në disa masa të Programit IPARD, siç është Diversifikimi i fermave dhe bizneseve të vogla, një nga prioritetet është investimi në kapacitete për turizëm rural. Këtu ka interes të madh, por si Agjenci po përballemi me sfida të mëdha. Bëhet fjalë për probleme në planifikimin urbanistik në disa komuna ku ende nuk janë urbanizuar lokacionet atraktive për investime të mundshme dhe sipas procedurave të IPARD-it, marrja e lejes për ndërtim është kushti kryesor për të aplikuar për këtë lloj investimi dhe që të jetë i pranueshëm për pagesë. Shpresojmë sinqerisht që komunat, së bashku me Ministrinë për Transport dhe Lidhje, do të gjejnë shpejt një zgjidhje për ta tejkaluar këtë problem dhe të rrisim përthithjen e fondeve për këtë qëllim, në kënaqësinë e të gjithë atyre që kanë ndërmend të investojnë në turizmin rural. Përndryshe, AMFBZHR përmes Programit për zhvillim rural mbështet një masë për mbulimin e shpenzimeve të komunave për përgatitjen e planeve detale urbanistike (PDU), por, për fat të keq, ato fonde ende mbeten të pashfrytëzuara për shkak të disa pengesave,” thekson Stojlev.

Pas një viti që nga emërimi juaj në funksionin e drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (AMFBZHR), si e vlerësoni situatën në bujqësinë e Maqedonisë?
Pas një stagnimi të caktuar në zhvillimin e bujqësisë në Maqedoni, ngadalë por sigurt, me ndërmarrjen e hapave të duhur, po e kthejmë bujqësinë në rrugën e duhur. Mendoj se bujku ynë mund t’u përgjigjet kërkesave të konsumatorit vendas, dhe për këtë, natyrisht, në çdo kohë mund të mbështetet në përkrahjen e Qeverisë, e cila përmes Ministrisë përkatëse dhe veprimit efikas të AMFBZHR-së, përpiqemi të shpërndahet në kohë të duhur për të gjithë sektorët. Bujqësia maqedonase duhet të mbështetet seriozisht dhe në kohë me fonde financiare në mënyrë që prodhimi të jetë i pandërprerë dhe produktet të pasojnë me sasi dhe cilësi për të përmbushur nevojat ushqimore të popullsisë vendase. Sigurisht që duhet të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe të vendosen objektiva të qarta.
Ajo që më së shumti i intereson bujqit është, sigurisht, pagesa e subvencioneve. Si po realizohet mbështetja shtetërore?
Që nga marrja e funksionit drejtues në Agjenci, në korrik të vitit 2024, menjëherë filluam me pagesën e detyrimeve të prapambetura ndaj bujqve. Për të gjitha kërkesat e dorëzuara në vitet e mëparshme (2021, 2022 dhe 2023) për të cilat nuk ishte bërë pagesa, e përmbyllëm tërësisht detyrimin duke alokuar rreth 1.000.000.000 denarë. Dua të theksoj veçanërisht pagesën e subvencioneve për qumështin. Nuk ishte bërë pagesa që nga maji i vitit 2023, ndërsa ne menjëherë në vitin 2024 i kemi paguar të gjitha detyrimet nga maji 2023 deri në dhjetor të vitit 2024. Kishte një vonesë prej gjashtëmbëdhjetë muajsh, por si AMFBZHR i dhamë prioritet kësaj dhe në një periudhë të shkurtër, për masën që lidhej me qumështin e prodhuar dhe të dorëzuar në kapacitete përpunuese, paguam rreth 17.000.000 euro.
Dua të theksoj se kemi futur një mënyrë të re për pagesën e subvencioneve dhe për herë të parë në të njëjtën ditë, bujqit morën fonde si për masën bazë 1.1, ashtu edhe për masën shtesë 1.2 për përdorimin e materialit të certifikuar. Gjithashtu, gjatë vitit 2024, paguam një shumë të konsiderueshme për kërkesat e dorëzuara në atë vit.

Në periudhën nga korriku deri në dhjetor 2024, kemi paguar gjithsej 4,3 miliardë denarë për të gjitha masat, nga të cilat rreth 1 miliard denarë ishin për detyrime të trashëguara nga vitet e mëparshme, si dhe mjete të konsiderueshme për kërkesat e dorëzuara në vitin 2024. Vitin kalendarik 2024 e përfunduam me një pagesë rekord prej 8.400.000.000 denarësh. Pagesat për kërkesat e dorëzuara vazhduan edhe në vitin 2025, dhe deri tani, nga korriku 2024 deri në korrik 2025, janë paguar mbi 10.000.000.000 denarë. Realizimi i pagesave sipas Programit për vitin 2024 është mbi 85 për qind.
Këtë vit arritëm të bëjmë pagesën për duhanin e prodhuar dhe të shitur në shumën prej 2,4 miliardë denarë (40 milionë euro) në kohë rekord, menjëherë pas përfundimit të afatit ligjor për blerjen. Vetëm për krahasim, në vitin e kaluar 2023 u paguan 1,4 miliardë denarë, ndërsa këtë vit një miliard më shumë.
Për fermerët është e rëndësishme jo vetëm shuma e fondeve, por edhe kur ato para do t’u derdhen në llogaritë e tyre. A po ndiqet Kalendari i pagesave dhe aplikimeve dhe a është në përputhje me ciklin e prodhimit bujqësor?
Siç kam përmendur tashmë, përpiqemi qëllimisht të arrijmë objektivin – që bujqit t’i marrin fondet e parapara në momentin kur ato u nevojiten më shumë.
Në prag të korrjes, kur çmimi i blerjes së drithërave është më i ulët, do të kryejmë pagesat për blegtorët (ata që rrisin lopë dhe dele), me qëllim që në kohë dhe me çmim sa më të volitshëm të sigurojnë ushqim për bagëtinë. Bujqit i morën subvencionet për lope apo gjedh në vlerë prej rreth 340 milionë denarësh, për qengjat e therur në thertore, si dhe për pagesa direkte shtesë për prodhuesit e kulturave të fushës që kanë realizuar rendimente më të larta, në vlerë prej rreth 266 milionë denarësh. Tani janë paguar prodhuesit e mollëve, dhe janë gati për pagesë ata që kanë dorëzuar kultura kopshtarie në kapacitete përpunuese, si dhe për qumështin e prodhuar dhe të dorëzuar për tremujorin e parë të vitit 2025. Efikasiteti në pagesa në periudhën e ardhshme pritet të përmirësohet, sepse menaxhimi me vetë pagesat është përmirësuar ndjeshëm dhe nuk kemi pagesa të prapambetura – prandaj kërkojmë mirëkuptim dhe durim nga ana e bujqve.
Sa është buxheti që këtë vit duhet të derdhet në llogaritë e prodhuesve të ushqimit?

Buxheti për Programin për bujqësi është 7,2 miliardë denarë dhe presim që përmes Programit IPARD të sigurohen edhe rreth 8.000.000 euro, për të cilat sektori agro ushqimor mund të ketë pritshmëri për pagesë deri në fund të vitit 2025.
Cila masë është më atraktive, ku vërehen rezultate të rritura ndjeshëm dhe sa thirrje aktive ka aktualisht?
Maqedonia, si për nga territori ashtu edhe për nga popullsia, është një vend i vogël, por është e pabesueshme se sa të ndara janë rajonet dhe çfarë specifikash kanë në aspektin e
prodhimit. Ne si Agjenci kemi respekt për të gjithë prodhuesit e produkteve bujqësore, pavarësisht nëse bëhet fjalë për prodhim me prejardhje bimore apo shtazore.
Konstatuam se sektori i blegtorisë ka qenë padrejtësisht i anashkaluar dhe po përpiqemi ta konsolidojmë përmes pagesave, por na duhet ende pak kohë që të gjitha pagesat t’i rakordojmë.
Ndërkohë, janë përfunduar disa thirrje publike sipas masave të Programit për Zhvillim Rural, nga të cilat më atraktive janë masat për blerje të traktorëve dhe makinerive, masa për bujq të rinj, dhe masa për mbështetjen e kooperativave bujqësore. Janë publikuar gjithashtu edhe thirrje në fushën e peshkimit dhe akuakulturës.
A ka kontroll në terren për subvencionet e paguara?
Për kontrollet është përgjegjës një Sektor i veçantë, i cili përfaqëson bazën themelore të Agjencisë. Kontrollet kryhen sipas një metodologjie të përcaktuar dhe rregullisht, ku obligimi ligjor është që të realizohen të paktën 5 për qind e kërkesave totale. Kontrollorët e AMFBZHR-së përdorin mjete moderne si pajisje GPS, softuerë dhe imazhe satelitore, për të përmirësuar efikasitetin. Rëndësia e kontrolleve efikase ka zvogëluar ndjeshëm mospërputhjet dhe përpjekjet për përfitim të subvencioneve në mënyrë të paligjshme ose përmes deklarimeve të rreme. Zhvillimi dhe përmirësimi i Sektorit të kontrolleve në terren do të vazhdojë, me qëllim që të mbrohet buxheti dhe mjetet financiare të përdoren sipas destinimit apo qëllimit të tyre.
Cilat janë risitë për bujqit dhe a ka lehtësim të aksesit të fondeve? A e kuptojnë ata sistemin e aplikimit dhe sa është shkurtuar procedura për marrjen e subvencioneve?
Për të përmirësuar qasjen në informacion për përdoruesit përfundimtarë, për herë të parë kemi vendosur ndjekjen e rrjedhës së kërkesës dhe shkarkimin e vendimeve për pagesë në mënyrë elektronike, përmes sistemit për paraqitjen e kërkesave për pagesa direkte.
Për masat e prodhimit bimor sipas sipërfaqes së tokës bujqësore, për herë të parë këtë vit po zbatohet kërkesa gjeohapësinore, me qëllim eliminimin e dallimeve ndërmjet sipërfaqeve të deklaruara dhe atyre të konstatuara gjatë kontrolleve. Këtë vit është braktisur metoda e vjetër e aplikimit alfanumerik.

Bujku e merr çdo parcele të tokës në mënyrë gjeohapësinore – të vizatuar në hapësirë (e marrë nga Regjistri i Toksës Bujqësore: numri i parcelës, sipërfaqja në m², tipi i përdorimit të tokës, numri kadastral, emërtimi i vendit). Aplikuesi deklaron në mënyrë gjeohapësinore të dhënat për prodhimin e vet për çdo kulturë: llojin e kulturës, sipërfaqen dhe vendndodhjen e saktë në hapësirë
Në këtë mënyrë zvogëlohet mundësia për gabime gjatë aplikimit, dhe gjithashtu objekt i kontrollit në terren do të jetë sipërfaqja e deklaruar saktësisht.
Plani i prodhimit gjeohapësinor përbën bazën për monitorimin e parcelave, një sistem për ndjekjen e aktiviteteve në to përmes pamjeve satelitore, me qëllim që të pamundësohet pagesa e subvencioneve për tokë që nuk punohet.
Përveç fondeve nga buxheti vendor, Agjencia është përgjegjëse edhe për shpërndarjen e fondeve nga BE-ja. Sa fonde kemi në dispozicion, cilat masa janë më tërheqëse dhe a dinë bujqit tanë si t’i përdorin fondet e IPARD-it?
Aktualisht është në zbatim Programi IPARD 3, për të cilin deri tani janë shpallur katër thirrje publike, ndërsa deri në fund të vitit do të publikojmë edhe dy të tjera, për masat 3 dhe 7. Për periudhën 2021–2027, kemi në dispozicion 127 milionë euro, prej të cilave 75% janë nga BE, ndërsa 25% janë bashkëfinancim nga buxheti vendor. Ka interes të madh për shfrytëzimin e mjeteve, por gjithashtu po përballemi me shumë sfida të lëna nga menaxhmenti i mëparshëm i Agjencisë. Po i zgjidhim ato në mënyrë të vazhdueshme, serioze dhe në kohë. Edhe pse menaxhmenti i kaluar kishte marrë përsipër para autoriteteve të BE-së të akreditojë tre masa të reja nga IPARD 3, deri në emërimin tim si drejtor i AMFBZHR-së nuk ishte ndërmarrë asnjë aktivitet në këtë drejtim. Ne nuk kemi pritur, nuk kemi kërkuar justifikime dhe kemi ndërmarrë hapa konkretë. Kemi hartuar procedurat për masën e re – infrastruktura rurale publike dhe jemi në fazë të avancuar me procedurat për masën LIDER dhe për masat agro-ekologjike.
Dua të theksoj se është përmirësuar ndjeshëm dinamika dhe efikasiteti i pagesës së fondeve. Tani unë personalisht, si drejtor, nënshkruaj vendimet dhe kontratat në praninë e aplikuesve. Diskutojmë për mënyrat se si të përmirësojmë kushtet për akses në fonde financiare përmes shkurtimit të kohës nga aplikimi deri në pagesë.
AMFBZHR-së ka një potencial të jashtëzakonshëm të burimeve njerëzore – profesionistë të nivelit të lartë, me qasje të përgjegjshme dhe analitike ndaj çdo lënde. Anticipohen dhe identifikohen të gjitha përpjekjet për parregullsi dhe mospërputhje.
Përse IPARD 3 është më i mirë se IPARD 2?
Kjo pyetje lidhet sërish me akreditimin e masave. Janë ndryshuar disa prej kushteve të procedurave të caktuara dhe ka edhe risi në pjesën e renditjes së aplikimeve dhe mundësisë për pagesë paraprake. IPARD 2 përfundoi më 31.12.2024 me një përthithje prej 85 për qind, duke qenë liderë në rajon, ndërsa në IPARD 3 për herë të parë aplikohet renditja e aplikimeve sipas një udhëzimi të paracaktuar dhe të miratuar, pasi marrim një numër të madh aplikimesh të pranueshme që tejkalojnë buxhetin e disponueshëm për masat. Kjo, nga ana tjetër, nënkupton se ekonomia po rritet dhe interesi për shfrytëzimin e IPARD 3 është ndjeshëm më i lartë.

Në IPARD 3, për herë të parë është futur mundësia për pagesë paraprake deri në 50 për qind të vlerës së investimit, kundrejt sigurimit të një garancie bankare prej 110 për qind. Interesi për përdorimin e kësaj pagese paraprake është shumë i lartë dhe ndihmon në realizimin e suksesshëm të investimeve.
Duke qenë se ndahen fonde evropiane dhe punohet sipas standardeve evropiane, a ka kontroll edhe nga BE-ja?
Çdo euro e paguar nga Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural i nënshtrohet kontrollit. Duke marrë pjesë në forume të organizuara nga BE si agjenci paguese nga një vend kandidat për anëtarësim, kemi mundësinë të dëgjojmë përvojat e vendeve të tjera rreth mënyrës së ndarjes së fondeve financiare. Fokusi kryesor në BE është kontrolli i fondeve të paguara, e jo thjesht vlera e pagesës, dhe për këtë qëllim përdoren mjete dhe metoda shumë moderne.
Në Budapest, në konferencën për drejtorët e agjencive pagesore, u prezantuan raportet e kontrollit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimeve (OLAF), ku u theksua qartë se nuk ka kompromis ndaj mashtrimeve dhe mashtruesve. Që nga ky vit, zbatohet edhe një mjet i ri që monitoron konfliktin e interesit si pjesë e hetimeve.
Sa i përket kontrollit në AMFBZHR, të njëjtat rregulla që zbatohen në vendet evropiane, vlejnë edhe për agjencinë tonë paguese. Kontrolli është i përhershëm nga ana e trupit auditues dhe Ministrisë së Financave.
AMFBZHR përmes programeve të ndryshme mbështet edhe projekte nga fusha e turizmit rural – blerjen e pajisjeve, por edhe ndërtimin e objekteve. Cili është interesi i qytetarëve për këtë lloj mbështetjeje?
Siç theksova më herët, bëhet fjalë për Programin IPARD, i cili nxit zhvillimin rural. Prandaj, në disa masa, siç është Masa 7 – Diversifikimi i fermave dhe bizneseve të vogla – një nga sektorët prioritarë është investimi në kapacitete për turizëm rural. Interesi është i madh, por Agjencia përballet me sfida të mëdha.

Shpresojmë sinqerisht që komunat së bashku me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve do të gjejnë zgjidhje të shpejtë për ta kapërcyer këtë problem dhe të rrisim përthithjen e fondeve për këtë qëllim, në dobi të të gjithë atyre që kanë qëllim të investojnë në turizmin rural. Përndryshe, AMFBZHR-së përmes Programit për Zhvillim Rural mbështet një masë përmes së cilës mbulon shpenzimet e komunave për përgatitjen e planeve urbanistike detale (PUD), por, për fat të keq, ato fonde ende mbeten të pashfrytëzuara për shkak të disa pengesave.
Shpesh përmendet masa “bujk i ri”. Cili është realisht interesi në këtë segment?
Këtë vit Agjencia shpalli një thirrje publike, sipas së cilës bujqve të rinj u jepet një grant prej 10.000 eurosh për fillimin e një agrobiznesi. Janë dorëzuar gjithsej 254 kërkesa në arkivin e AMFBZHR-së dhe tashmë janë në fazën e përpunimit për plotësim dhe përshtatshmëri. Këtë vit janë lehtësuar kushtet për përdorimin e fondeve për këtë masë, në mënyrë që sa më shumë të rinj të përfitojnë nga kjo mundësi për të filluar të merren me bujqësi. Përparësi do t’u jepet bujqve individualë, anëtarëve të kooperativave bujqësore, grave bujke të reja, aplikantëve me arsim të përfunduar në fushën e bujqësisë apo veterinarisë, si dhe në rastet kur investimi synon blerjen e makinerive bujqësore, blerjen e pajisjeve për aktivitete pas korrjes në prodhimin bimor, pajisjeve për përpunimin e produkteve bujqësore ose pajisjeve për prodhimin blegtoral (qumësht, mish, vezë dhe përpunimet e tyre).
Cilat janë planet dhe hapat e ardhshëm të Agjencisë? A vazhdoni të përballeni me mungesë të stafit dhe hapësirave, që është një nga vërejtjet e Komisionit Evropian në raportet për progresin e vendit?
AMFBZHR vitin e kaluar e quajti “NJË VIT PARTNERITET ME BUJQIT”. Me përkushtimin dhe efikasitetin e saj, bëri shumë për të konsoliduar funksionimin. Qëllimi është të bëhet një shërbim i vërtetë për bujqit dhe të gjithë sektorin agrar. Kemi futur një mënyrë transparente informimi, kemi përgatitur një modul të ri për tërheqjen elektronike të të dhënave të lidhura me kërkesat për subvencione. Së bashku me MBPEU-në kemi zhbllokuar procedurën për përmirësimin e kushteve hapësinore për punonjësit dhe deri më 31.12.2026 pritet të përfundojë adaptimi i ndërtesës së re. Kemi nënshkruar Memorandume Bashkëpunimi me agjencitë pagesore të Kroacisë, Serbisë dhe Polonisë. Komunikimi me BE DG Agri është në nivel të lartë dhe presim kushte të përmirësuara në të ardhmen për shfrytëzimin e fondeve financiare nga BE-ja.

AMFBZHR është një hallkë e rëndësishme në sistemin për zbatimin e politikave bujqësore të MBPEU-së dhe të Qeverisë dhe është e përgatitur të përballet me të gjitha sfidat që sjell rruga drejt anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në BE.
Bujq të kënaqur dhe një AMFBZHR e suksesshme është vizioni ynë.
