Shkup, 7 qershor – Shëndeti oral nuk ndikon vetëm në dëmtimin e dhëmbëve, ai është një pjesë thelbësore e shëndetit të përgjithshëm, thonë stomatologët.
Shëndeti nis nga goja – dhe nuk ndalet te dhëmbët. Problemet dentare mund të ndikojnë në zemër, veshka e në të gjithë trupin. Larja e përditshme dhe vizitat te dentisti nuk janë luks – janë domosdoshmëri. Mos prisni dhimbjen! Kujdesuni sot, që të buzëqeshni të shëndetshëm nesër, porosisin dentistët.
Stomatologu, Ilmi Luta, thotë se nevojitet vetëdije më e lartë, sa i përket shëndetit oral.
“Për fat të keq, vetëdija për kujdesin e shëndetit oral te popullata jonë është në nivel të ulët dhe jo në nivel të dëshirueshëm dhe si pasojë kemi paraqitje të sëmundjes së kariesit, paradotozës dhe kemi heqje të dhëmbëve.” – tha stomatologu, Ilmi Luta.
Kujdesi për shëndetin oral duhet të fillojë që në foshnjëri, për të vazhduar gjatë gjithë jetës.
“Kujdesi për shëndetin oral duhet të fillojë shumë herët, prej disa muajsh deri në fund të jetës, mirëpo si grup më i ndjeshëm janë fëmijët, e posaçërisht fëmijët me denticion të përzier kur kanë dhëmbë të përhershëm dhe dhëmbë të qumështit. Shpesh krijohet huti te prindërtit kur mendojnë se fëmijët e tyre kanë vetëm dhëmbë të qumështit dhe nga neglizhenca vjen deri te prishja e tyre dhe kanë pasoja afatgjate.” – deklaroi stomatologu, Ilmi Luta.
Te mosha mesatare shkalla e kariesit është më e ulët, mirëpo problem te ta është harxhimi i dhëmbëve, apo erozioni dhe abrazioni që vijnë nga mosha, nga kafshimi traumatik dhe nga heqja e dhëmbëve.
“Tek ta preferohet rehabilitim protetikor, ku në stomatologjinë modern preferohet vendosja e implanteve, vendosja e kurorave estetike, që përbëhen nga materialet që imitojnë natyralen, me qëllim të mbajtjes së dhëmbëve të vetë.” – theksoi stomatologu, Ilmi Luta.
Qytetarët: Kujdesemi për shëndetin oral
Qytetarët e anketuar të moshave të ndryshme thonë se përpiqen të kujdesen për shëndetin oral, duke bërë edhe kontrolle të shpeshta te dentisti.
“Dhëmbët i laj dy herë në ditë, kur kam dhimbje shkoj te dentisti, por më thotë se dhëmbët i kam mirë.”
“Kur zgjohem i laj dhëmbët, kam qenë te dentisti për kontrolle.”
“Kujdesem shumë, i laj me mëngjes, bëj edhe kontrolle të kohëpaskohshme.”
“I pastroj çdo mëngjes dhe mbrëmje, kujdesem normal sepse dhëmbi është shëndet.” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.
Edukimi dhe rutina e përditshme e pastrimit të dhëmbëve, janë çelësi i arritjes së synimit që të kemi dhëmbë të shëndoshë dhe higjienë të mirë orale, porosisin stomatologët.