Rreth 1.316 njerëz kanë vdekur nga kolera në Sudan që nga shpërthimi i sëmundjes në javën e dytë të gushtit, tha sot Ministria e Shëndetësisë e vendit, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të ministrisë, 1.316 persona kanë vdekur nga kolera që nga 12 gushti, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve në vend ka arritur në 49.554.
Shirat e dendur dhe përmbytjet që filluan në qershor kanë kontribuar në përhapjen e kolerës në Sudan.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) raportoi më 1 tetor se 3,4 milionë fëmijë sudanezë ishin në rrezik për t’u prekur nga sëmundje epidemike.
Më 5 tetor, Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) njoftoi se kishte dërguar 1,4 milion doza të vaksinës së kolerës në Sudan.
Në Sudanin e shkatërruar nga lufta, ku sistemi i kujdesit shëndetësor nuk po funksionon në mënyrë efektive, përhapja e sëmundjeve infektive po përkeqëson më tej vështirësitë me të cilat përballen njerëzit.