Më 13 gusht, tabloidi serb Alo publikoi një titull që thoshte: “TERRORISTË TË ARMATOSUR HAPIN ZJARR NDAJ FËMIJËVE SERBË NGA GORAZHDEVCI QË PO NOTONIN NË BISTRICË – DY TË VRARE.” Formulimi dramatik mund lehtësisht t’i bëjë lexuesit të besojnë se ka ndodhur një tragjedi e re. Në realitet, artikulli nuk fliste për një ngjarje të fundit, por ishte një rikujtim për një krim që kishte ndodhur 22 vite më parë.
Edhe pse përmbajtja e artikullit e bën të qartë se është një shkrim përvjetori, mungesa e një treguesi kohor në titull, sipas Kossev rrezikon të mashtrojë lexuesit — sidomos ata që lexojnë vetëm titujt — duke i lënë me përshtypjen se ka ndodhur një tjetër sulm.
Kjo nuk është hera e parë që Alo përdor formulime alarmiste kur raporton për Kosovën. Në fakt, kjo është kthyer në një praktikë të përsëritur.
Vetëm tre ditë para shkrimit për Gorazhdevcin, më 10 gusht, e njëjta media publikoi një tjetër artikull me titullin: “USHATRIA ITALIANE NË KOSOVË – FORCAT E NATO-s TË AKTIVIZUARA.”
Edhe pse teknikisht i saktë, gjuha e përdorur në titull ishte krijuar për dramatizim maksimal, duke krijuar përshtypjen e një përshkallëzimi të papritur të sigurisë. Por që në hyrje të artikullit, bëhet e qartë se “aktivizimi” i përmendur kishte të bënte me një stërvitje rutinë të trupave italiane të KFOR-it me instruktorë hungarezë. Sipas deklaratës së vetë KFOR-it, ushtrimi ishte përqendruar në kontrollin e turmave dhe përgatitjen ndaj zjarrit dhe nxehtësisë — një pjesë standarde e trajnimeve për ruajtjen e paqes.
KFOR publikisht jep informacione për këto ushtrime, ndonjëherë disa herë në javë. Megjithatë, Alo vazhdimisht ka zgjedhur t’i paraqesë ato sikur të ishin ndërhyrje urgjente të sigurisë. Në prill, për shembull, botoi titullin: “KFOR-I AKTIVIZOHET NË KOSOVË – Njësitë Speciale Nisin Aksionin (FOTO).”
Artikuj të ngjashëm u publikuan edhe në nëntorin e kaluar.
Tituj të tillë sipas Kossev-it, shërbejnë për dy qëllime. Së pari, tërheqin klikime në një treg mediatik konkurrues dhe, së dyti, nxisin ankth te lexuesit. Në një rajon ku tensionet mbeten të larta dhe kujtimet e dhunës janë ende të freskëta, efekti është veçanërisht i fuqishëm.
Duke anashkaluar kontekstin thelbësor në tituj dhe duke u mbështetur në sensacionalizëm, këto media jo vetëm që rrezikojnë të dezinformojnë publikun, por edhe përforcojnë një ndjenjë të përhershme rreziku.
Në fund të fundit, sipas portalit kolak lerb në Kosovë (Kossev) ajo që mund të duket si një titull i zakonshëm për të tërhequr vëmendje, ka pasoja më të gjera: formon perceptimin publik, ushqen frikën dhe e ndërlikon atmosferën e sigurisë në Kosovë.