Shkup, 20 nëntor – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takim me Delegacionin e Institutit Demokratik Nacional (NDI), të udhëhequr nga drejtori rajonal i NDI-së për Evropën dhe Euroazinë, Skot Bejts.
Në përbërje të Delegacionit ishin Nada Mazukina, zëvendësdrejtoreshë rajonale e NDI-së për Evropën dhe Euroazinë; Robert Skot Hejzlet, drejtor i NDI-së për Maqedoninë e Veriut; dhe Dejvid Sip, udhëheqës i ekipit të Projektit të NDI-së “Komunitete me Integritet”.

Gashi e uroi drejtorin e sapoemëruar të NDI-së për Evropën dhe Euroazinë, Skot Bejts, për funksionin e tij të ri dhe i dëshiroi shumë suksese në punën dhe bashkëpunimin e tij në shumë projekte.
Gjithashtu, shprehu mirënjohje të madhe për NDI-në për mbështetjen e parezervë që i ka ofruar Kuvendit, duke theksuar se të gjitha aktivitetet e NDI-së janë në favor të forcimit të proceseve demokratike në vend.
Kryetari Gashi theksoi angazhimin e tij për rritjen e transparencës së Kuvendit me qëllim që t’i sjellë qytetarët më afër Dhomës Ligjvënëse dhe të forcojë besimin në institucion. Bejts theksoi se projektet e suksesshme të arritura janë rezultat i gatishmërisë së demonstruar për bashkëpunim dhe la derën hapur për thellim të bashkëpunimit.
